“Faktet që lidhin Ramën me kompaninë e sigurimit të Rinasit”

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka në një deklaratë për media nga selia blu, renditi disa fakte që sipas tij provojnë lidhjen e avokatit të kryeministrit Edi Rama, Eno Bushi me kompaninë përgjegjëse për sigurinë e aeroportit të Rinasit.

Deklarata e plotë e Palokës:

Grabitja e armatosur dhe e përsëritur në Rinas është dëshmia se qeveria jo vetëm ka dështuar për të garantuar siguri, por është përfshirë këto ditë në mbrojtjen e kompanisë, përgjegjëse për sigurinë në Rinas.

Me këtë kompani, qeverinë e Edi Ramës, e lidhin disa fije, duke nisur me avokatin e tij, Eno Bushi, i cili ka zotëruar aksione me të njëjtën kompani që paguhet për të garantuar sigurinë në aeroport

Avokati i Edi Ramës, Eno Bushi, gënjeu dje, kur deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me kompaninë ICTS ALBANIA, përgjegjëse për sigurinë brenda aeroportit të Rinasit. Ai tha se kishte pasur aksione në një kompani me emër të ngjashëm, ICTS ALBANIA- INTEGRATED SERVICES dhe se ngatërresa ndaj tij është e qëllimshme, e motivuar politikisht.

Të gjithë e dimë se gjysmë të vërtetat janë gënjeshtra dhe synojnë të mbulojnë të vërtetën. E vërteta numër 1 është se kompania ICTS ALBANIA, përgjegjëse për sigurinë në Rinas dhe kompania ku avokati i Edi Ramës kishte 25% të aksioneve, janë e njëjta kompani, me dy nipte dhe emra të ndryshëm.

Të dyja kompanitë kanë një pronar ICTS EUROPE. Të dyja kompanitë, njëra e themeluar në shkurt 2005, tjetra në Mars 2009, janë rregjistruar nga i njëjti person. Panagiotis Kambouroglou. Në 2009, shtetasi grek autorizon si një nga përfaqësuesit ligjorë të shoqërisë, Eno Bushin.

Të dyja kompanitë kanë të njëjtin person që firmos për pagesa mbi 50 mijë apo luan rolin e Administratorit, Aldi Meloholli. Të dyja kompanitë kanë të njëjtin drejtor teknik për sigurinë

Të dyja, kompanitë kanë ndryshuar adresë në të njëjtën kohë, në 2011-ën: Bulevardi “Gjergj

Fishta”, pallati Edil-al, shkalla 1, ap 9.3.

Të dyja kompanitë kanë ndryshuar pronar në shkurt 2013, duke kaluar nga hollandezët tek francezët. Në këtë kohë, avokati i Edi Ramës bëhet pronar me 25 përqind të aksioneve, në kompaninë me pronare vendimmarrëse përgjegjësen për sigurinë e Rinasit.

Të dyja kompanitë, në Korrik 2014, kanë një adresë të re, të njëjtën adresë: Qendra Alpas, godina 146, hyrja 2.

Të gjitha këto janë fakte që e lidhin avokatin e Edi Ramës me kompaninë që merr rreth 2 milionë euro çdo vit për sigurinë e aeroportit të Rinasit.

E vërteta numër 2 është se qeveria hesht prej tre ditësh dhe nuk përmend si bashkë përgjegjëse për grabitjen në Rinas kompaninë, që lidhet direkt me avokatin e Edi Ramës.

E vërteta numër 3 është se kompania që duhet të siguronte Rinasin është në biznes me qeverinë e Edi Ramës dhe ka marrë tenderat e sigurisë në çdo pikë strategjike të vendit.

E vërteta numër 4 është se kompania ICTS Albania operon në Shqipëri që prej 2005-ës, por siguria kombëtare u cenua 2 herë brenda aeroportit të Rinasit gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Një herë në 2016-ën, kur Sandër Lleshi drejtonte Bordin e Aviacionit Civil që duhet të mbikëqyrte përmbushjen e kushteve nga kompania dhe, tani,  kur Sandër Lleshi është Ministër i Brendshëm.

E vërteta numër 5 është se qeveria e Edi Ramës nuk e lufton dot krimin, sepse pushteti i saj buron nga blerja e votave nëpërmjet krimit. Largimi i tij është emergjencë kombëtare!