‘Far West-i’ në Kavajë / Haxholli kishte 6 muaj që doli nga burgu, i divorcuar dhe përdorues droge

Dritan Haxholli, 41-vjeçar i divorcuar, që u vra nga shefi i sigurisë së burgut në Durrës, Bledar Toçi, brenda apartamentit të ish-të dashurës së tij në Kavajë, kishte vetëm 6 muaj që kishte lënë qelinë e burgut të Durrës, pasi ishte dënuar nga gjykata e Kavajës me 8 muaj burgim për akuzën e “Drejtimit të mjetit në gjendje të parregullt dhe nën efektin e lëndëve narkotike”.

Në muajin nëntor 2018 gjyqtari i Kavajës Luan Lusha, ka pranuar kërkesën e Dritan Haxhollit për një gjykim të shkurtuar, duke i ulur 1/3 e dënimit dhe dënuar Haxhollin përfundimisht me 8 muaj burgim.

Sipas vendimit të gjykatës së Kavajës në datën 9 korrik 2018 rreth orës 00:30, salla operative e Komisariatit të Policisë Kavajë është vënë në dijeni se Dritan Haxholli duke drejtuar mjetin “Alfa Romeo” me targë AA 324 LC, në shëtitoren nr.1, të qytetit Kavajë, në daljen veriore të qytetit, ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit dhe është përplasur me autoveturën tip “Bez” me targë AA 622 JJ, e cila ishte e parkuar në anë të rrugës.

Nga aksidenti është vetëdëmtuar Dritan Haxholli, i cili është dërguar për ndihmë mjekësore në spital. Pas mjekimit është shoqëruar në dhomat e izolimit të Komisariatit të Policisë Kavajë.

Gjatë këqyrjes së mjetit me targë AA 324 LC të Haxhollit është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës lënde narkotike e llojit cannabis sativa prej 0.743 gramë dhe kjo sasi droge është deklaruar nga Haxholli se i përket atij e tij dhe se është përdorues i lëndës narkotike.