Fëmija juaj kërcet vazhdimisht dhëmbët kur fle gjumë, ja ç’ushqime duhet të hajë ai

Shtrëngimi i dhëmbëve në gjumë ose bruksizmi është një dukuri mjaft e përhapur tek të gjitha moshat, sidomos tek fëmijët. Statistikat e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se 1 në 20 fëmijë vuajnë nga bruksizmi, një gjendje gjatë të cilës fëmija shtrëngon dhe kërcet dhëmbët në mënyrë pavullnetshme.

Shkaqet e bruksizmit janë ende të panjohura, por sipas mjekëve ndër burimet e mundshme përmendim astmën, infeksionet e sipërme të rrugëve të frymëmarrjes, infeksionet e bajameve, mishi i huaj në hundë dhe çrregullimet e ankthit.

Personat që kanë probleme me bruksizmin kanë dhëmbë të shtrembër, të thyer, deformim të nofullës, dhimbje koke etj. Përveç vizitës tek mjeku, Living ju këshillon të ndryshoni regjimin ushqimor dhe të konsumoni ushqime që përmbajnë tre përbërësit e mëposhtëm:

1.Shtoni konsumin e Vitaminës C: Vitamina C luan një rol të rëndësishëm në mirëfunksionimin e gjëndrave mbiveshkore, të cilat kontrollojnë nivelin e stresit në organizëm. Ky i fundit është një ndër shkaktarët kryesorë të bruksismit. Për këtë arsye duhet të shtoni në regjimin tuaj sa më shumë ushqime që përmbajnë vitaminë C si për shembull agrume, luleshtrydhe, lakër, speca të kuq dhe jeshilë etj.

2.Magnezi: Magnezi është një ndër mineralet më të rëndësishme që i nevojitet trupit të njeriut, mungesa e tij mund të bëhet shkak për shfaqjen e shumë problematikave shëndetësore, mes të cilave edhe bruksizmi. Sipas mjekëve nutricionistë një fëmijë duhet të marrë 200 mg magnez në ditë, kur një i rritur 400 mg. Burimet ushqimore më të pasura me magnez janë: spinaqi, fasulet e kuqe, avokado, bananet dhe farat e kungullit.

3.Rrisni konsumin e vitaminës B: Kompleksi i vitaminës B (B1,B2,B3,B9,B12,B17) luan një rol të rëndësishëm në trajtimin e bruksizmit. Ju mund t’i merrni këto vitamina tek buka integrale, mëlçia e viçit, peshku, spinaqi, thjerrëzat, bizelet, drithërat, luleshtrydhja dhe majaja e birrës.