fbpx

“Fiks Fare” denoncon gjendjen e trageteve Durrës-Bari

1501678486tragetiii.jpg

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së hënës kushtet e trageteve të linjës Durrës-Bari.

Në datën 3 gusht 2018, në pikun e lëvizjeve, një person humbi jetën në mes të detit.

Trupi i Isa Konit, 57-vjeç nga Marikaj, u la disa orë në kuvertë dhe askush nga stafi i tragetit nuk i dha ndihmën e parë. Në Kodin Detar, është përcaktuar se çdo mjet lundrues drejtohet nga një ekuipazh i mjaftueshëm për sigurinë e jetës. Në nenin 100, është përcaktuar edhe ekuipazhi, i cili duhet të ketë edhe mjekun. Kodi Detar ka të përcaktuar edhe rregullat për mbajtjen e ilaçeve, ku organet shtetërore që mbulojnë detarinë dhe shëndetësinë, përcaktojë rregullat për mjetet e ndihmës mjekësore dhe medikamentet e domosdoshme, që pronari ose kapiteni i çdo anijeje duhet t’i ketë të siguruara gjatë lundrimit. Sipas Kodit, Kapiteneria e Portit, mbikëqyrësit dhe komisioni mjekësor kanë të drejtë të ndalojnë daljen e anijes në lundrim për mosrespektim të këtyre rregullave. Por, në rastin konkret, anija nuk kishte mjek, infermier, dhomë mjekimi, madje nuk kishte edhe ilaçe. Dhe, me gjithë këto mungesa, ajo anije u nxor në det të hapur, ku një pasagjer ndërroi jetë dhe askush nuk i erdhi në ndihmë!

Gazetarët e Fiksit shkuan në banesën e viktimës, në fshatin Marikaj në Vorë. Babai i Isait, një burrë i moshuar, tha se djali i tij ishte emigrant prej vitesh dhe atë ditë do të vinte në shtëpi, pasi ishte ftuar në një dasëm. Rrugën nga Bari në Durrës e kishte bërë me një shok nga Elbasani. Në ujërat territoriale të Italisë ai është ndjerë keq, ka shkuar në kuvertën e tragetit dhe është rrëzuar. Shoku i tij, duke parë këtë vonesë, shkoi të shihte çfarë kishte ndodhur. “Ky djali më tha se në momentin që Isai ishte bërë keq, vërdallë tyre kishte edhe hajdutë. Asnjë prej stafit të tragetit nuk shkoi t’i jepte ndihmën e parë. Nuk kishte doktorë, infermierë apo edhe ilaçe. E kanë lënë aty dhe e kanë sjellë në Durrës. Unë besoj se ngjarja mund të zbardhet veçse në Itali, pasi këtu te ne nuk besoj se mund të bëjnë diçka. Edhe listat e udhëtarëve mund t’i ndryshojnë” thotë i moshuari.

Ai kërkon nga shteti shqiptar zbardhjen e ngjarjes dhe ndalimin e udhëtimeve të tilla, pasi një traget me mijëra persona në bord, nuk ka kushte minimale. Pas këtij denoncimi, gazetarët e Fiks Fare shkuan pranë Autoritetit Portual në Durrës, ku kërkuan informacion nëse trageti ku humbi jetën 57-vjeçari kishte apo jo mjek. Punonjës të këtij autoriteti e drejtuan grupin e Fiks Fare drejt sektorit të shëndetësisë. Përgjegjësi i këtij sektori tha se nuk ka bërë asnjë veprim me të ndjerin, por është marrë direkt Mjekësia Ligjore. Pyetjes se, nëse trageti ka pasur apo jo mjek, ai tha fillimisht se kanë të gjithë, por më pas tha se “unë s’kam asnjë dijeni”. Në fund, ai i drejtoi gazetarët të shkojnë te Kapiteneria e Portit. Punonjës të Kapitenerisë iu shmangen prononcimit për ngjarjen, ndërsa një punonjës deklaroi se sipas Kodit Detar çdo mjet lundrues duhet të ketë shërbime mjekësore. Ai tha se ka udhëtuar me tragete, por nuk ka parë asnjë mjek në to.

Fiksi shkoi edhe në zyrat qendrore të kompanisë që menaxhonte tragetin ditën e ngjarjes, ku mësoi nga punonjës se zyra vetëm sa bënte koordinimin e stafit dhe pasagjerëve. Në lidhje me pyetjen nëse ka pasur apo jo mjek, punonjësit thanë se nuk mund t’u servirnin gazetarëve këtë informacion.

Pas sorollatjeve të vazhdueshme dhe hedhjes së “topit” nga njëra zyrë në tjetrën, Fiks Fare bëri një vëzhgim në një nga tragetet e kompanisë ku ndodhi ngjarja e 3 gushtit. Gazetarët udhëtuan në fillim të shtatorit në linjën Durrës – Bari – Durrës. Nga vëzhgimi rezultoi se pasagjerët flinin në tokë dhe në korridoret e trageteve. Disa pasagjerë tregojnë që flenë në tokë, pasi dhomat janë shumë shtrenjtë dhe çmimet ngrihen në periudhat e fluksit. Ata thonë se, nëse dikush është sëmurë, nuk ka asnjë mjek, infermierë apo medikamente por “dil e hidhu nga trageti”.
Fiksi bisedoi edhe me punonjës të tragetit, të cilët thanë se nisen vonë pothuajse vazhdimisht, pasi shkak bëhet dogana dhe skaneri, por edhe policia që kthen pasagjerët për t’u marrë lekë. Ata thanë se herë ka mjek dhe herë të tjera jo, ndërsa kanë ankesa edhe për pagesat. Sipas tyre, ata marrin nga 600 euro, ndërkohë rumunët paguhen me 1000 euro. Për ngjarjen e 3 gushtit, një pasagjer tregon se atë ditë nuk kishte mjekë. “Sa dola jashtë, e pashë duke nxjerrë shkumë nga goja” thotë ai, ndërsa një punonjës tregon se, ditën kur udhëtoi gazetari i Fiks Fare, nuk kishte mjek në traget.

VËZHGIMI I FIKS FARE DURRËS – BARI – DURRËS

Fiksi – Qenke fiks aty?
Pasagjeri 2 – Lart vjen era qen, era kërmë.
Fiksi – Si ka mundësi more burrë?
Pasagjeri 2 – Vjen era djathë, vjen era shëllirë, po njëri ha vezë, njëri ha djathë, unë hap sallatorin, ti hap sallatë, tjetri hap një gjë tjetër, hap ullinj, tjetri hap gogozhare, mblidhet ajo. Këtu ke ftohtë të rrish. Lart plas.
Fiksi – Po kështu mjek s’kanë këta?
Pasagjeri 2 – Mjekë?
Fiksi – Hë?
Pasagjeri 2 – Hë, hë, hë, këtu hap penxheren e hidhu poshtë. Ça mjeku, mjek thotë ky. Ulu aty, hap ndonjë bluzë a ndonjë çarçaf. Nuk ka as dhoma po mirë. Se bëhen nga 2 – 3 veta nga 12 euro i bie. Ose do të fusin në ndonjë dhomë vari leshtë.
Fiksi – Shkojnë e ulen në dysheme po…
Pasagjeri 3 – S’kanë dhomë. 50 euro dy vetë. Mbase ulen them po. Biletat 70 euro.

***

Fiksi – Në çfarë ore niset?
Punonjësi i tragetit – Kush e di, kush të thotë orar gënjen. Asnjëri nuk e di të saktë, deri tek pasagjeri i fundit. Na vonon dogana se nisemi kollaj. Dogana na vonon se si lë pasagjerët, i kontrollon, i kthen mbrapsht, ju merr lekë. I fut në skaner kamionët, autobusët. Këta tanët na bëjnë gjëmën ne. S’kemi për tu bërë ndonjëherë njerëz.
Fiksi – Ose je i detyruar të presësh pasagjerët deri në fund?
Punonjësi i tragetit – Normal, unë vete të kaloj me pasaportë, ai mos kalo, pse të mos kaloj? Kur s’më kalon ti në vendin tim po ai italiani çfarë më bën mua? Ne jemi, këta ti djegësh këta policat tanë. Ore zotëri, unë kam të drejtë, pasaportën e kam të pastër, problematik s’jam, s’jam marrë me ndonjë gjë që është hedhur në kompjuter të kem figurë të keqe, unë i pastër jam më le kalojë, do lekë, për çfarë ti jap lekët?
Fiksi – Nuk kanë frikën e kamerave këta?
Punonjësi I tragetit – Çfarë kamera, këta janë ordinerë. Ai merr lekët, i hedh poshtë, kanë një karton, e mbushin kaq me lekë. Kur kalonte fluksi i pasagjerëve çdo polic nuk ikte pa bërë 2 – 3 mijë euro natën. Ku e lënë këta këtë vend pune, shikon ti të njëjta surrat, të njëjta fytyra se i paguajnë lekë të madhit, që t’i mbaj aty. I njohin partitë këta PS, PD.
Fiksi – Ore që patë vdekur njëri, këtu vdiq ai?
Punonjësi i tragetit – Te kjo vdiq.
Fiksi – Çfarë pati ai?
Punonjësi i tragetit –Vdiq o vëlla, vdiq, na futi tmerrin.
Fiksi – Po mjek s’ka?
Punonjësi i tragetit – Mjekë herë ka, herë s’ka.
Fiksi – Pse fakultative, herë ka, herë s’ka?
Punonjësi i tragetit – Sepse mjeku kërkon shumë lekë o vëlla. Ka të sëmurë, s’ka të sëmurë, mjeku merr lekun kotë edhe këtyre nuk ju leverdis.
Fiksi – Paske pa tmerr.
Punonjësi i tragetit – Mos pyet more vëlla, po ku të vesh, ku të punosh.
Fiksi – Sa ju paguajnë të paktën?
Punonjësi i tragetit – Ne marrim 600 euro në muaj, çdo shqiptar 600 euro, rumunët 1000 euro, egjiptianët e kanë më lartë. Rumunët e kanw më lartë se janë evropian, kanë edhe siguracion. Ndërsa ne asnjë lloj gjëje, asnjë gjë. Në të zezë punon si qeni. S’ke ku ankohesh, po deshe, po s’deshe gris b…
Fiksi – Po këtu e kanë shqiptarë apo…?
Punonjësi i tragetit – Grekë, vetëm plakun e plakën kam këtu, unë rri këtu.
Fiksi – Pse?
Punonjësi i tragetit – Po jemi ekspres ne, zbarkuam, ngarkuam ku do ikësh, s’të lë njeri të zbresësh.

***

Pasagjerja – Thash ça është, i ra të fikët, ata çunat shkuan të gjithë. U përmend, i ishte ngjirur zwni, jo iku ai vdiq tha. Punonte me mua, 55 vjeç nga Vora. Bile na i dha të dhënat të gjitha ai. Ai shoku i vet, ishte me mua tha.
Fiksi – Ça patë?
Pasagjerja – Ai tha ishim jashtë tragetit se ishte vapw dhe ishim shtrirw atje siç shtrihen këta, jashtë tragetit. Ky kishte hyrw brenda në bar për të blerë ndonjë gjë. Kur kishte dalë jashtë, shkumë nga goja, bërtiste me nder teje me llafe të pista, ku jeni?
Fiksi – Nuk kishte mjekë?
Pasagjerja – Nuk kishte mjek, erdhën infermierët, ky bërtiste ça bëni, ça pulsi se ai vdiq. Iku ai mbaroi.

***

Fiksi – Pak njerëz?
Punonjësi i tragetit 2 – 110 veta. Po janë me kabina more njerëzit.
Fiksi – Po mjeke s’kanë?
Punonjësi i tragetit 2 – Në momentin që anija kalon 12 orë është e detyruar të ketë doktor në bord.
Fiksi – E di pse pyeta se pashë tek lajmet?
Punonjësi i tragetit 2 – Ai që vdiq?
Fiksi – Hë?
Punonjësi i tragetit 2 – Po ai vdiq, këtu qe nuk u ndje mirë, po do më ajër, u ngjit lartë, ata e dinin se flinte gjumë, kishte vdekur.
Fiksi – Kishte pirë?
Punonjësi i tragetit 2 – Jo, infarkt se ndjen, siç ka qenë ka rënd. Ai tani ishte shtrirë, njerëzit e dinin se është në gjumë. Kur janë 200 veta këtu, njerëzi janë shtrirë. Kalojnë njëri atje, kur shikojnë shkumë nga goja. Vajtëm lart, bam-bum frymë, ai kishte gjysmë ore që kishte vdekur. Gjynah.

***

Fiksi – Në 11.00 e ka si orar?
Punonjësi i tragetit 3 – Varet edhe mund të mos niset në 11.00.
Fiksi – Pse apo pret njerëz?
Punonjësi i tragetit 3 – Varet si vazhdojnë procedurat poshtë.
Fiksi – Ore po mjekë ka?
Punonjësi i tragetit 3 – Jo.
Fiksi – Këtu ka ndodhur ajo ngjarja që vdiq ai?
Punonjësi i tragetit 3 – Këtu.
Fiksi – Të paktën ju kanë siguruar?
Punonjësi i tragetit 3 – S’ka asnjë lloj sigurimi.
Fiksi – Si jeni pa siguruar?!
Punonjësi i tragetit 3 – Pa siguruar.
Fiksi – Komplet shqiptarë ë?
Punonjësi i tragetit – (Pohon me kokë).

***

Fiksi – Po dhomat sa shkojnë këtu?
Punonjësi i tragetit 4 – Jashtë sezonit 40 euro.
Fiksi – Po mjek nuk paska?
Punonjësi i tragetit 4 – Ncuq.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *