“Fitoren e parë të betejës anti-shpifje e shijojnë fëmijët”

rama-4.jpg

Kryeministri Edi Rama deklaoi këtë të martë se deri më tani ka gati 12 padi penale për shpifje dhe rreth dy dyzina të tjera dosjesh që ka ndërmend t’i çojë në gjykatë kundër opozitës.

Përmes një statusi në rrjetin social Twitter, kreu i qeverisë paralajmërom se tashmë lufta kundër shpifjes ka nisur me një fitore, atë të gjyqit mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe këshilltarit të Partisë Demokratike, Akil Kraja. Ky i fundit është shpallur fajtor për shpifje dhe do të detyrohet të paguajë një shumë prej 250 mijë lekësh të reja.

Rama thotë se ndërmend që t’i marrë dhe “çizmet” opozitës nëpër gjyqe dhe se të gjitha paratë do të shkojnë për fondin e Edukimit, një strukturë e propozuar prej tij e cila do të “thithë” paratë e fituara nga paditë që e gjithë Partia Socialiste po kryen deri më tani ndaj eksponentëve të opozitës.

Rama nuk shprehet për median, nëse ka në plan të bëjë padi për shpifje edhe për to, pasi kujtojmë se e gjithë nisma për paketën anti- shpifje (ende e pazbardhur në formën ligjore) erdhi si rezultat i kërkesës së Ramës për t’i “kyçur” gojën atyre që ai quan kazanë mediatikë e politikë.

“Inaugurohet Fondi i Edukimit nga një shpifje e PD për Erion Veliajn. Kontributi i parë për një bibliotekë shkolle në Kodër-Kamëz. Gati 12 paditë e para Antishpifje nga ana ime. Në përpunim nja dy duzina të tjera. Kjo opozitë si Liza në botën e çudirave do lerë dhe çizmet gjyqeve”, shkruan Rama në Twitter.

Si u dënua këshilltari i PD nga gjykata për shpifje ndaj Veliajt

Këtë të martë në gjykatën e Tiranës trupa gjykuese vendosi të gjobisë për shpifje këshilltarin e PD-së Akil Kraja. Padia erdhi nga kryebashkiaku i Tiranës Veliaj kohë më parë, me argumentin se Kraja ka shpifur në lidhje me atë që demokrati ka thënë kundër Veliajt për “aferat” e rritjes së çmimit të ujit.

Në dalje të Gjykatës së Tiranës, Akil Kraja tha këto fjalë:

Erion Veliaj arriti me debatin e shpifjes, me Rilindjen e drejtësisë, me rikthimin e ligjit famëkeq 55, që sot të kërkosh demokraci, një debat qytetar, të mbrosh interesat e qytetit, ti mund të dënohesh.

Është një vendim fatkeq që mbron një kryebashkiak gënjeshtar. Ai premtoi publikisht se çmimi i ujit nuk do të rritet, se çmimi i transportit publik nuk do të rritet, ai premtoi moratorium për ndërtimet, por ka ndodhur e kundërta. Ai premtoi se edhe sikur një pemë do të pritej , ai do të jepte dorëheqjen.

Ai është një kryebashkiak gënjeshtar që u paraqit sot para Gjykatës së Rrethit Tiranë si një viktimë “e turbulluar shpirtërisht”. Cinizmi nuk ka fund! Ai e akuzon demokracinë, kërkon ta dënojë, të mbysë dialogun qytetar, llogaridhënien në bazë që na mban të bashkuar se po nuk pati llogaridhënie një i zgjedhur, kthehet në diktator, drejtësia kthehet në pushtim.

Mendojeni edhe njëherë: Erion Veliaj ndjehet i turbulluar shpirtërisht se ne e akuzojmë për një aferë për rritjen jotransparente të çmimit të ujit për banorët e Tiranës, po kështu për taksat, po kështu për moratoriumin e ndërtimeve!

Janë me dhjetëra raporte ndërkombëtare që e konsiderojnë bumin e ndërtimeve në Tiranë si një lavatriçe për paratë e drogës.

Gjykata dha një vendim të pakuptueshëm, kam kurajën qytetare që ta them se mbase po, mund të ketë pasur edhe presione në këtë gjykim, gjyqtarët janë të shqetësuar, sepse një Veting po kalon nëpër këmbë dhe jam kurjoz se çfarë do të thotë “i turbulluari shpirtërisht”.

Me këtë dua ta mbyll: sa cinik është Erion Veliaj që ne i kemi krijuar një turbullim të gjendjes shpirtërore. Po shqiptarët që po largohen, po ky vend që po braktiset, çfarë do të thotë?! Ky është cinizmi. Pushtetari që po e largon, po e masakron, rrëmben këtë vend thotë “unë jam viktimë”!

Real News

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303