Fituesi i “Big Brother“: “ Njerëzit mendonin se ishte mbesa, por ishte vajza ime; unë nuk e dija as vetë“

Fituesi i njërit prej edicioneve të ‘Big Brother Albania’, Anaid Kaloti  ka rrëfyer sot një histori të pazakontë teksa ka qenë i ftuar në ‘Ftesë në 5’.

Fituesi i  “Big Brother 6“, Anaid Kaloti ishte I ftuar aty për të rrëfyer projektet e tij, e përse jo, edhe grimca nga jeta private.

Por me atë që tha, Anaidi I habiti të gjithë: është baba i një vajze që sot është 3 vjeçe e gjysmë, por vetë nuk kishte marrë vesh gjë deri kur ajo kishte mbushur 1 vjeç!

“Është e vetmja femër që unë dashuroj pa kushte,” u shpreh ai. Bieta vuri në dukje faktin se Anaidi është shumë i lidhur me Klean, vogëlushen 3-vjeçare, sa duket sikur ai është gati për t’u bërë baba. Moderatorja u përpoq ta pyeste rreth jetës personale, por ja që rrjedha e bisedës mori tjetër drejtim.

Me një nënqeshje, paksa në siklet, Anaidi vazhdoi: “Klea…ka ardhur në jetë si një dhuratë midis dy njerëzve që nuk e donin aq shumë njëri-tjetrin […] Me mamanë e Kleas unë nuk kam ndonjë marrëdhënie.”

Bieta (dhe të gjithë ne): “Një sekondë, Klea është vajza jote?”.

Anaidi dhe vogëlushja tre vjeçare shiheshin shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit. Ndjekësit dhe portalet i referoheshin Kleas si mbesa e tij. Fituesi i BB6 nuk tha kurrë që është mbesa, por as bëri me dije se është bërë baba.

Në vijim, Kaloti tregoi se ai dhe nëna e Kleas patën një histori të shkurtër, nga e cila erdhi në jetë vajza. Pa dashur të tregojë më shumë detaje, ai shtoi se nëna e vajzës jeton në Itali, së bashku me Klean, por kur vjen në Shqipëri jetojnë në shtëpinë e tij.

“Ajo mikëpritet nga unë dhe familja ime. Dhurata që na solli Zoti na bëri që të afrohemi më shumë,” tha ai duke shtuar më pas se nëna e Kleas dhe vajza kanë dhomën e tyre në shtëpinë e tij.

Ndër të tjera, Anaidi shprehu mirënjohje dhe respekt për nënën e të bijës, të cilës iu desh ta rriste fëmijën e vetme, pasi familja i ktheu shpinën kur ishte shtatzënë.

Në përfundim të intervistës, ai theksoi se e mori vesh që ishte bërë baba kur Klea ishte 1 vjeçe. “E njoha kur ishte 1 vjeçe, sepse nuk më tregoi njeri. Nuk e dija që ishte shtatzënë. Nuk kishte faj, por nuk do të doja ta komentoja sepse ndoshta nuk i pëlqen. Ajo ka sakrifikuar edhe jetën e vet, pasi po rrit një fëmijë pa baba afër. Ka luftuar shumë fort. Ditën e ditëlindjes më mori në tel dhe më tha që isha bërë baba.”

/real-news.tv/