Fjalët therëse nga babai i shqiptarit që akuzohet për vrasje

babai-i-shqiptarit.jpg

Babai i shqiptarit, njëri prej dy personave të përfshirë në vrasjen brutale të studentes 21-vjeçare në Greqi, thotë se është i prekur nga ngjarja e rëndë. Duke folur për mediat greke, ai shprehet se ndjen dhimbje të dyfishtë, për vajzën e re që humbi jetën dhe për djalin e tij të arrestuar. I ati i 19-vjeçarit shqiptar tregon se nuk ka rritur një djalë vrasës dhe ka besim tek drejtësia greke.

“Ngushëllime familjes. E kuptoj dhimbjen e tyre. Unë jam gjithashtu baba dhe më dhemb njësoj për të dy. Që sot e tutje flet drejtësia. E dëgjova në lajme dhe mendova se nuk mund ta ketë bërë djali im këtë. E kemi mësuar vazhdimisht që të krijojë shoqëri me njerëz të mirë. I kam thënë gjithmonë që fuqia e njeriut është te mendja e tij, dhe jo tek duart apo këmbët. Atë djalin (i referohet 21-vjeçarit grek) nuk e kam njohur. Dija që shkonin bashkë në Universitet.

E kishte njohur një javë më parë me aq sa di. Unë punoj në ndërtim, kurse bashkëshortja ime është kamariere. Aleksandri është një fëmijë shumë i ndjeshëm. Nuk më kanë lejuar ta shikoj. Nuk e di se çfarë ka ndodhur. Nuk e besoj. Vajzën nuk e njihja. Atë natë ai më tha se do të dilte me një mikun e tij. Një natë më parë, Aleksandri kishte dalë me një vajzë të mirë. Nuk dija asgjë tjetër. Nuk dua të duket sikur një familje ka humbur fëmijën e saj, kurse një familje tjetër ka rritur një vrasës. Nuk e dua këtë gjë. Jemi njerëz dhe dhimbja është dhimbje. Besoj në drejtësinë greke. Kam dhe një vajzë tjetër që ka studiuar për drejtësi”, është shprehur ai.

19-vjeçari shqiptar Aleksandri dhe një 21-vjeçar grek janë arrestuar si dy persona të dyshuar për vrasjen e studentes 21-vjeçare Eleni Tofaloudis. Krimi i rëndë ka ndodhur në ishullin Rodos të Greqisë më 29 Nëntor. Ekspertët mjeko-ligjorë thanë se vajza ishte abuzuar seksualisht dhe dhunuar. Trupi i saj ishte hedhur në det nga një lartësi 10 metra. Nga ekzaminimi u përcaktua se shkak i vdekjes ka qenë mbytja në det. Ekspertët u shprehën se Eleni do të ishte gjallë nëse do të ishte dërguar në spital para se dy të rinjtë ta kishin hedhur në det.

Hetuesit besojnë se dy autorët tentuan të kryenin marrëdhënie seksuale me të, por ajo nuk pranoi dhe tentoi të largohej. Në këtë pikë, ata e goditën me një objekt metalik në kokë. Mbetet e paqartë se kur autorët abuzuan seksualisht me të. Aleksandri ka pranuar përfshirjen në krim, kurse 21-vjeçari grek vazhdon të mohojë akuzat. Ditën e sotme, studentja 21-vjeçare u përcoll mes lotësh për në banesën e fundit

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303