fbpx

Fjalimi i Presidenti Meta në OKB, flet edhe për vaksinën kundër koronavirusit

Presidenti Illir Meta ka mbajtur ditën e sotme një fjalim për debatin e përgjithshëm të sesionit të 75-të të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me temë “E ardhmja që duam, Kombet e Bashkuara që na nevojiten: duke ripohuar angazhimin tonë të përbashkët ndaj multilateralizmit – përballja me COVID-19 përmes veprimit tonë të efektshëm shumëpalësh.”

Në fjalën e tij Meta doli foli edhe për pandeminë. Ai dha mesazhin se vaksina duhet të jetë e perballueshme nga të gjithë.

“Pandemia Covid-19 ka zhytur botën në një krizë të thellë shëndetësore dhe ekonomike. Pasojat e saj socialo-ekonomike me siguri që do të vazhdojnë edhe për shumë vite të tjera, me pasoja të paparashikueshme për paqen dhe sigurinë globale.

Kriza aktuale kërcënon të ngadalësojë, madje edhe ta kthejë pas përparimin e shënuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Bëhet fjalë për rrezikun që iu kanoset sigurisë ushqimore, çrrënjosjes së varfërisë, zhvillimit ekonomik, ndryshimit të klimës dhe barazisë gjinore, duke përkeqësuar dobësitë ekzistuese dhe duke rritur pabarazitë që ekzistojnë në dhe midis vendeve të ndryshme.

Mënyra se si do të reagojmë dhe do të përgjigjemi ne do të përcaktojë se sa shpejt do të rimëkëmbet bota, si dhe do të formësojë aftësinë tonë për të arritur dhe përmbushur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe për të menaxhuar sfida të tjera globale.

Përgjigja globale ndaj pandemisë së koronavirusit e ka vënë në provë multilateralizmin si dhe ka ekspozuar kufizimet e institucioneve ekzistuese ndërkombëtare. Ajo ka nxjerrë në pah gjithashtu edhe pasojat alarmuese të bashkëpunimit jofunksional botëror.

Pandemia ka theksuar nevojën e njerëzimit për një sistem më të fortë multilateral, bazuar në parimet dhe idealet e mishëruara në Kartën e OKB dhe të drejtën ndërkombëtare”, tha ndër të tjera Meta.