fbpx

Forca e Ligjit në Territor, “Ndëshkimi i të fortëve” arreston 300 persona

31c2ba37-878a-40db-8e0d-c6fc9870c633.jpg

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë konferencës për mediat

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, doli përpara disa minutash në një deklaratë për media për të dhënë informacion mbi operacionin e koduar “Ndëshkimi i të fortëve”

Sipas Veliut, operacioni është ndërmarrë nga data 20 shtator dhe do të vijojë.

“Janë arrestuar mbi 300 persona në kontrolle proaktive në territor, 160 persona të identifikuar me precedentë të konsideruar si të fortë, nga këta 70 për armëmbajtje pa leje, 14 në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale.

Deklarata e plotë

Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe me mbështetje aktive nga partnerët ndërkombëtarë, është e angazhuar në luftë të pa kompromis për parandalimin, identifikimin dhe goditjen e individëve të përfshirë në veprimtari kriminale dhe veçanërisht krimit të organizuar dhe grupeve kriminale në vend.

Operacioni “Forca e Ligjit”, iniciuar vetëm 11 muaj më parë ka rezultuar një nismë e suksesshme e Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, për përballjen me drejtësinë të drejtuesve dhe anëtarëve të këtyre grupeve kriminale. Që prej nëntorit 2017, kur nisi operacioni “Forca e Ligjit” për skedimin, identifikimin dhe hetimin, një sërë grupesh kriminale janë goditur dhe një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të këtyre grupeve sot janë pas hekurave të burgut.

Operacioni i orëve të fundit ‘Vol-Vo 4” goditi anëtarët e 4 grupeve kriminale dhe pati një shtrirje në 12 qytete, pa asnjë dekonspirim, megjithë përmasat jo të zakonshme të një operacioni policor, me 1500 efektivë në terren.

Për shumë grupe të tjera të skeduara tashmë në hetimet intensive prej shumë muajsh, janë në rrugë të mbarë dhe do të ketë shpejt të tjera rezultate domethënëse në këtë luftë pa kompromis.

Sot jam përballë jush dhe qytetarëve, për t’ju informuar dhe bërë me dije rezultatet e para të një tjetër Operacioni me shumë rëndësi, në të cilin është angazhuar Policia e Shtetit në të gjithë territorin e vendit.

Që nga mesi i muajit shtator në zbatim të një porosie të Kryeministrit të vendit dhe me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Policia e Shtetit programoi zhvillimin e një operacioni kontrolli, parandalimi dhe ndëshkimi në territor.

Nga Drejtoritë Vendore të Policisë së qarqeve fillimisht u hartuan lista nga çdo Komisariat dhe Zonë Policore, individët me precedentë kriminal, me rrezikshmëri shoqërore si dhe individët problematikë me sjelljet e tyre të dhunshme në mjediset tona shoqërore.

Ky operacion synon qartësisht:

– të parandalojë veprimtaritë kriminale në territor, në çdo mjedis social dhe veçanërisht përfshirjen e të miturve e të rinjve;

– identifikimin dhe ndëshkimin e personave me rrezikshmëri shoqërore e veçanërisht ata me precedentë penalë;

– identifikimin dhe arrestimin e personave, për të cilët ka një vendim kërkimi kombëtar apo ndërkombëtar, ndalimin e ndëshkimin e personave të konsideruar “të fortët” e zonave urbane e rurale, duke u kthyer në një shqetësim për qytetarët.

Operacioni policor i koduar “Ndëshkimi i “Të fortëve” identifikon dhe ndëshkon individët që në shkelje të hapur të ligjit, cenojnë rendin e qetësinë publike dhe guxojnë të sfidojnë autoritetin e shtetit dhe forcën e ligjit. Policia e Shtetit është e vendosur mos të lejojë që në çdo cep të territorit askush të mos sfidojë dot autoritetin e shtetit, të Policisë së Shtetit dhe Forcës së Ligjit.

Ky operacion është pro-aktiv. Forcat policore të programuara për këtë operacion shkojnë dhe kontrollojnë kryesisht individët me problematika në fushën e rendit sipas një skedari emrash të hollësishëm, kudo që ata ndodhen dhe nuk i pret ata në postbllok apo t’i ndalojë kur përfshihen në ngjarje kriminale.

Nga data 20 shtator Drejtoritë Vendore të Policisë, Forcat Operacionale, FNSH, e posaçërisht forcat RENEA sipas një plan veprimi të detajuar janë angazhuar gjerësisht në territor në realizimin e Operacionit policor të koduar “Ndëshkimi i “Të fortëve”.

Të gjithë këtë aktivitet të shtirë në çdo skaj të vendit gjatë kësaj periudhe e kemi zhvilluar qëllimisht në heshtje publike, duke patur interes të parë, rezultatet.

Sot jemi këtu pikërisht për t’ju bërë me dijet rezultatet më të rëndësishme konkrete të javëve të para të cilat janë premtuese, çka do të thotë se operacioni do të jetë i suksesshëm edhe në etapat e mëtejshme.

Tani ju ftoj në ekranin krah meje të ndjekim 2 video të shkurtra, që prezantojnë shkurt dhe me pamje, pjesë nga puna e forcave policore në territor gjatë Operacionit policor “Ndëshkimi i “Të fortëve”.

Më konkretisht, gjatë veprimit të Forcës së Ligjit në territor në kuadrin e Operacionit policor “Ndëshkimi i “Të fortëve”, nga strukturat vendore të Policisë janë kryer kontrolle për personat me precedentë kriminal aktiv, personat në kërkim dhe personat si prishës sistematik të rendit publik.

Këto janë disa nga rezultatet në tregues konkret, gjatë këtyre javëve të veprimit të operacionit në territor.

Janë arrestuar vetëm në kuadrin e këtij operacioni, mbi 300 persona në kontrollet pro aktive në territor, ndër ta:

• Rreth 160 persona të identifikuar me precedentë apo prishës të rendit, të konsideruar si ‘të fortë’ janë ndaluar apo arrestuar, ndër ta rreth 70 vetë për armëmbajtje pa leje;

• Gjithashtu janë kapur e arrestuar 154 persona për të cilët ka patur një urdhër kërkimi kombëtar dhe 14 të tjerë në kërkim ndërkombëtar, për vepra të ndryshme penale.

Më hollësisht mund të shihni listën me emra dhe veprën penale që shfaqet në ekran.

Ndër provat e sekuestruara gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj tyre në akset rrugore, banesa, lokale etj. janë sekuestruar 43 armë zjarri të llojeve të ndryshme, automjete dhe një sasi e konsiderueshme parash.

Policia e Shtetit, duke përfituar nga rasti kërkon ndjesë, nëse në ndonjë rast kontrollet e ushtruara në ambiente publike krijojnë shqetësim, por e konsiderojmë më shumë rëndësi vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që tentojnë të sfidojnë autoritetin e shtetit, nën petkun e “të fortit”.

Nuk ka të fortë përballë autoritetit të ligjit!

‘Forca e Ligjit në Territor’ përmes Operacionit policor “Ndëshkimi i “Të fortëve” nuk do të ndalet këtu, por do të vijojë ditë pas dite, javë pas jave, duke ndëshkuar ashpër me autoritetin dhe forcën e ligjit çdo individ shkelës të ligjit dhe sfidues të autoritetit të shtetit që do të guxojë të cenojë jetesën normale të qytetarëve, rendin e qetësinë publike.

Në ditët e ardhshme Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të prezantojnë një paketë masash të forta ligjore, administrative e operacionale për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit në territor në funksion të rendit e sigurisë publike dhe një marrëdhënie të re midis Policisë dhe Komunitetit.

Policia e Shtetit u bën apel qytetarëve të kontribuojnë për rritjen e parametrave të sigurisë, mbrojtjen e rendit, qetësinë publike, respektimin e ligjit nga të gjithë, për vendosjen e autoritetit të shtetit. Kjo duke njoftuar strukturat e Policisë së Shtetit për çdo incident apo problematikë tjetër që mund të konstatojnë, përmes telefonatave falas në numrin 112.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *