fbpx

“Fotot që dolën nga morgu ishin…”. Spiropali shpërthen keq në Parlament: Të vdekurit nuk janë kaseta

spiropali-770x390.jpg

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka thumbuar ditën e sotme në Parlament, opozitën ashtu sikurse dhe presidentin Meta.

Ajo është ndalur te numri i viktimave nga Covid-19, ku ka thënë se “të vdekurit nuk janë kaseta, nuk mund të fshihen”.

“Kjo është paturpësi. Fotot që dolën nga morgu ishin skenar i përgatitur, i paralajmëruar. Cila opozitë në botë nxjerr foto nga morgu në një situatë të tillë, kur njerëzit janë të ngarkuar psikologjikisht”, theksoi Spiropali.

Fjala e ministres në Kuvend:

Sot në 1-vjetorin e tërmetit tragjik, nuk mund të mos ndjejmë dhe nuk mund të mos përjetojmë edhe njëherë dramën e madhe të rënduar edhe nga situata e këtij viti, ku vdekja na ka cikur kaq pranë, na ka ardhur te të afërmit tanë, te të dashurit, te profesionistët. Vetëm dje humbëm dy mjekë të dashur dhe një profesoreshë, dhe shumë të tjerë, që në këtë bilanc vdekjesh tingëllojnë si një bilanc lufte. Në këto momente do donim ta përballonim si shoqëri, si qeveri, me dinjitet këtë situatë dhe besoj këtë kemi bërë, jo vetëm duke alokuar buxhet, që e kemi për detyrë, por edhe si njerëz, si profesionistë, qytetarë e politikanë, duhet të jemi të kujdesshëm me fjalët tona, se fjalët vrasin. Nuk mund të vë në dukje se sa pa dinjitet është përballur opozita me këtë situatë. Jepen opinione lloj-soj mbi situatën, pa asnjë kujdes mbi bilancin ku jemi. Qeveria ka tre strategji deri më tani, që po i zbaton pikë për pikë, përfshirë dhe skenarët e rëndë të vjeshtë-dimër për të cilët jemi përgatitur.

Nuk mund të mos jap një përgjigje për akuzën e rëndë se të vdekurit po fshihen. Të vdekurit nuk janë kaseta, nuk mund të fshihen. Në fillim të pandemisë thonin se po shtohen të vdekurit për të marrë fonde nga BE, tani në mënyrë të turpshme po thonë se po i fshehim. Kjo është paturpësi. Fotot që dolën nga morgu ishin skenar i përgatitur, i paralajmëruar. Cila opozitë në botë nxjerr foto nga morgu në një situatë të tillë, kur njerëzit janë të ngarkuar psikologjikisht. Shkuan deri aty sa kërcënuan se do ta cojnë në Prokurori, po le të shkojnë në Prokurori. Janë aty për të bërë luftë për karrige, por nuk merret pushteti me dhunë. T’i lëmë të vdekurit të prehen, t’i lëmë familjarët të qetësohen, ne do të vazhdojmë punët tona dhe të gjithë bashkë do ja dalim. Është një kohë për të reflektuar që politika nuk mund ta bëjë shoqërinë copa.

 

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303