Karim Benzema nuk do të kthehet më të luajë për kombëtaren franceze të futbollit.
Sulmuesi i Realit të Madridit nuk do ta veshë më fanelën blu dhe këtë e ka konfirmuar vetë Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit (FFF).
“Nuk kam asgjë kundër Karimit, gjithmonë është sjellë mirë në skuadër, por mendoj se koha e tij në kombëtare ka përfunduar, sidomos sepse nuk ka qenë në formë për ca kohë”, deklaroi Noel le Graet.
Në Twitter, futbollisti i Realit reagoi kështu: “Zoti Le Graet, ju kërkoj që të më harroni dhe të më lini të qetë, ju lutem. Franca është kampione bote dhe kjo është e rëndësishme, të tjerat janë fjalë që i merr era. Falemnderit”.
Karim Benzema nuk grumbullohet më nga Franca që nga viti 2015, kur u bë publik skandali seksual i Mathieu Valbuena, në të cilin ishte i përfshirë sulmuesi i Realit.