Franca tregon se ç’do ndodhë me Shqipërinë në qershor

Vetëm një javë para zgjedhjeve europiane, çelja e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë po përdoret për kapital politik në Francë. Kreu i Partisë Republikane Loron Vokie, garantoi se në qershor do të çelen negociatat, por u shpreh kundër këtij veprimi dhe paralajmëroi pengim me veto. Pikërisht për të shmangur qëndrime të tilla, presidenti Macron, nuk e trajtoi çështjen e zgjerimit gjatë samitit të Berlinit.

Ajo që pritej ndodhi. Çështja e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe sidomos hapja e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po përdoret për kapital politik në Francë.

Ish-ministri francez i Çështjeve Europiane Laurent Wauquiez, në qeverinë e François Fillon-it në vitet 2010 dhe 2011 nga një mbështetës i zgjerimit, është kthyer në një kundërshtar të tij.

Sot kreu i Partisë Republikane të Francës, Wauquiez, akuzon presidentin Emmanuel Macron se po punon për zgjerimin e Bashkimit Europian. Gjatë një interviste për Franceinfo, Wauquiez, garanton se në qershor do të çelen negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë.

“Presidenti i Republikës propozon anëtarësimin e Shqipërisë. Unë mendoj se ky është një gabim i rëndë. Është një shtet i njollosur nga korrupsioni. Negociatat me Shqipërinë do të hapen në qershor, por ne do ta kundërshtojmë këtë me veto,” tha Wauquiez, gjatë intervistës.

Pikërisht për të shmangur qëndrime të tilla radikale nga euroskeptikët, udhëheqësit kryesorë të BE-së, mes tyre Merkel dhe Macorn, nuk pëlqyen ta trajtojnë çështjen e hapjes së negociatave gjatë samitit të Berlinit, duke e shtyrë vendimmarrjen pas zgjedhjeve europiane të fundmajit apo në vjeshtë.

Në intervistën e tij, kreu i Partisë Republikane të Francës, thotë gjithashtu se zgjerimi është një gabim dhe një prej shkaqeve kryesore të dobësimit të bllokut.

Brukseli ka hasur probleme me shtete si Polonia, Hungaria, Romania dhe Kroacia, anëtarësimi i të cilave tani pas shfaqjes së problemeve konsiderohet i parakohshëm.