Një ndër trajnimet që u organizua nga FSHF pak ditë më parë, ishte ai me mjekët dhe fizioterapistët e klubeve të Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë, si edhe përfaqësues të akademive kryesore në vend. Në këtë trajnim referoi Doktor Gianluca Stesina, mjeku i ekipit kombëtar shqiptar, ish mjek i Juventusit dhe aktualisht pjesë e Juventus Medical. Doktor Stesina i paraqiti të pranishmëve element praktikë të lidhur me dëmtimet muskulore dhe mënyrat më të mira që duhen ndjekur për rehabilitimin e sportistëve pas traumave.
Ky trajnim i lidhur me mjekësinë sportive është fillimi i një projekti të mirëfilltë që Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur për Mjekësinë Sportive dhe arritjen e shpejtë të standardeve më të larta në këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit. FSHF është duke punuar me të gjithë faktorët që janë të rëndësishëm në këtë proces, duke përfshirë të gjithë mjekët e klubeve, universitetet, organizmat spitalor shtetëror dhe privat si dhe federatat e tjera sportive në vend. Federata dhe Presidenti Duka e kanë vendosur tanimë zhvillimin e mjekësisë sportive te prioritetet kryesore dhe më të rëndësishme, për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm dhe të sigurt për futbollin në vendin tonë.
Angazhimin e sa më shumë mjekëve të rinj në sport, ofrimi i trajnimeve të mirëfillta me ekspertë vendas dhe të huaj, mbështetja me bazë materiale të nevojshme, do të jenë disa nga elementët e strategjisë dhe projekteve që po implementohen nga FSHF në lidhje me Mjekësinë Sportive.