fbpx

Gara për në Gjykatën Kushtetuese, KED fut në “sitë” kandidatët, heq përgjegjësinë për shpejtësinë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në mbledhjen e zhvilluar sot ka hedhur një tjetër hap drejt emërimet të anëtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese për ta bërë këtë institucion funksional.

Sot u hodh shorti për caktimin e relatorëve për ndjekjen e procedurave të verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për vendet e lira në gjykatën Kushtetuese, konkretisht pas largimit të Besnik Imerajt dhe Fatos Lulos.

Vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe kandidatët

Vendi vakant pas largimit të Besnik Imerajt

Relatore anëtare e KED: Vitore Tusha

Këshilltar: Sajmir Nazifi

Kandidati: Orkida Totojani, Altin Binaj, Aldona Sylaj

 

Këshilltar: Besmir Rapaj

Kandidati: Eugen Papandile, Ardita Buna Alsula

 

Këshilltar: Aulona Bodo

Kandidati: Shaqir Hasanaj, Ilir Hasnedari, Klajdi Mone

 

Këshilltar: Laureta Nezaj

Kandidati: Përparim Kalo, Aleksandër Toma

 

Vendi vakant pas largimit të Fatos Lulos

Relatore anëtare e KED: Saida Dollani

 

Këshilltar: Laureta Nezaj

Kandidati: Ardita Buna Alsula

 

Këshilltar: Sajmir Nazifi

Kandidati: Altin Binaj

 

Këshilltar: Besmir Rapaj

Kandidati: Ilir Hasnedari

 

Me nisjen e kësaj faze, KED thekson se ka marrë të gjitha masat e duhura për të realizuar një proces të rregullt ligjor, efektiv dhe të shpejtë, nëpërmjet kryerjes së një hetimi dhe verifikimi të thellë e të kujdesshëm për secilin nga kandidatët konkurrues për vendet vakante. Megjithatë për shpejtësinë e kohës së verifikimit, KED e hedh “topin” te institucionet e tjera.

“Thellësia e procesit të verifikimit, besueshmëria, integriteti dhe shpejtësia e tij varet gjithashtu edhe nga kontrolli dhe informacionet që duhet të dërgohen nga institucionet publike si: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti i Dosjeve, etj., si dhe subjektet private, të cilat sipas dispozitave ligjore, duhet t’i kthejnë përgjigjet në kohën më të shpejtë të mundshme, me informacione të plota dhe të sakta në shërbim të realizimit me sukses të misionit kushtetues e ligjor të KED”.