Gazetari i zhdukur, Trump: Ndëshkime të rënda për Arabinë nëse provohen akuzat

Donald Trump paralajmëroi se do të ndërmarrë masa të ashpra nëse vërtetohet se Arabia Saudite ka gishte në zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës premtoi se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje, në një intervistë për “60 Minutes” të CBS.

“Në këtë moment, arabët e mohojnë akuzën dhe e mohojnë me forcë. A mund të jenë ata pas zhdukjes? Po,” tha Trump në intervistën që do të transmetohet e plotë të dielën në mbrëmje.

Turqia pretendon se ka prova audio dhe video që vërtetojnë se gazetari Jamal Khashoggi është vrarë brenda konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll. Zyrtarë amerikanë dhe turq, emri i të cilëve nuk bëhet i ditur, kanë thënë për “Washington Post” se ka prova që tregojnë se Khashoggi hyri në konsullatë për të marrë disa dokumente që i duheshin për martesë, por nuk doli kurrë prej andej, siç pretendojnë sauditët.

“Regjistrimi audio nga brenda konsullatës tregon se çfarë i ndodhi Khashoggit pasi ai hyri brenda. Dëgjohet zëri i tij dhe i disa burrave të tjerë, që flasin arabisht. Dëgjohet se si ai u mor në pyetje, u torturua dhe u vra”, thotë zyrtari.

Lër një koment