Gazetari italian trondit Maqedoninë e Veriut, akuza të forta ndaj politikanëve

Laris Gajzer, gazetari i njohur i ‘La Verita’, ka reaguar pas publikimit të një videoje e cila zbuloi se në Maqedoninë e Veriut është një rrjet i fortë korrupsioni.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gajzer  shkruan se është thjeshtë fillimi, shumë shpejtë do të publikohen edhe materiale të tjera rreth këtij korrupsioni.

Gazetari ka hedhur akuza të forta kundër politikanëve maqedonas dhe zyrtarëve të BE-së në Maqedoni, duke theksuar se ata janë fajtorët e kësaj ngjarje, të cilët po vjedhin shtetin dhe po dëmtojnë rëndë qytetarët maqedonas.

Reagimi në Facebook:

Sot La Verita publikoi vetëm pjesën e parë të rrëfimit tim, që dëshmon se si Bashkimi Evropian, pas mbështetjes për ndërrimin e regjimit në Maqedoni, angazhohej për vendosjen e Prokurorisë Speciale (Katica Janeva), e cila jo vetëm përzihet ilegalisht në politikë, por edhe zhvat njerëzit.

Sistem mafioz, që punon drejtpërdrejt nën kontrollin e politikanëve të lartë! Ata politikanë të dëshiruar nga BE dhe nga SOROS. Maqedonia ka problem të madh në rrugën e saj drejt BE-së! Mogerini dhe Junker janë fajtorë për nënçmimin e tërë popullit dhe përkrahjen që dhanë për ata që janë kundër drejtësisë…’– shkruan ai.

Por kush është gazetari italian?

Laris Gaiser, është gazetar në gazetën ‘La Verita’. Ai sot u paraqit si autor i lajmit ku u publikuan video incizimet ku shihen dy të dyshuarit kryesorë në rastin ‘Reket’, Bojan Jovanovski- Boki 13 dhe Zoran Milevski- Zoki Kiçeec duke marrë para nga biznesmeni Jordan Orce Kamçev për të ndërhyrë në rastin e PSP-së, ‘Perandoria’, shkruan Alsat.

Në bisedën e publikuar mes Orce Kamçevit dhe Boki13, i dyshuari Boki i tregon Kamçevit se nga e dita e hënë më së voni deri të martën do të lirohet nga paraburgimi dhe se prokurorja speciale Katica Janeva nuk do të ndërmarrë masa shtesë ndaj tij.

Në një biografi të shkurtër në gazetën ‘La Verita’ thuhet se ai është anëtar i Ekipit italian për siguri kundër terrorizmit dhe menaxhimit me urgjenca në Universitetin Katolik të Milanos.

Ai ligjëron në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Xhorxhas në SHBA si dhe Gjeopolitikë, Gjeoekonomi dhe Punë të Jashtme në Akademinë Diplomatike të Vijenës. Gajser gjithashtu është këshilltar qeveritar.