Gazetari lëshon deklaratën bombë: Në Shqipëri ka vrasës që…

Gazetari Artan Hoxha ka treguar detaje të tjera për atentatin nda prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja.

Hoxha i ftuar në Abc News, është shprehur se janë një seri ngjarjesh që kanë ndodhur dhe kjo ishte e paralajmëruar. Gjithashtu, gazetari tha se politika nuk shkundet më pasi politika është brenda.

 “Janë një seri ngjarjesh që kanë ndodhur, kjo ishte e paralajmëruar. Nëse hapim kronikën e viteve të fundit në këtë aks rrugor kanë ndodhur të gjitha ngjarjet pa autorë. Kemi arritur në një pikë ku me të vërtet duhet të shkundet shoqëria sepse politika nuk shkundet më, politika është brenda. Kryeministri dhe zëvendës-kryeministri duhet të japin deklarime në Prokurori. Akoma nuk kanë dalë prova shkencore nga kjo ngjarje, janë shumë elementë që duhen parë. Kemi të bëjmë me vrasës që s’kanë lidhje direkte me viktimat, janë të porositur”, tha gazetari Hoxha.

Gazetari Hoxha shtoi më tej: “Nuk ka më besim tek policia, në vend ka grupe të cilët funksionojnë në lidhje me njëri-tjetrin. Shqipëria është qarkuar edhe nga vrasës me pagesë të huaj”.

Atentati ndaj prokurorit ndodhi më datë 1 nëntor në vendin e njohur si Mbikalimi i Shkozetit në Durrës. Makina tip “Benz”, ku po udhëtonte prokurori Arjan Ndoja, ra pre e një atentati, pasi një makinë tjetër “Benz”, ngjyrë gri, nisi të qëllonte me breshëri, duke lënë të plagosur të tri personat që po udhëtonin në këtë makinë.