Gjenden në Serbi mbetje mortore, dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës

Capture-2.png

Në Kizhevak afër Rashkës në Serbi janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës.

“Mund të konfirmoj se janë eshtra të shqiptarëve të Kosovës, në Kizhevak të Serbisë”, tha Gërxhaliu.

Në këtë lokacion kanë filluar gërmimet qe pesë vjet, kurse tashmë kanë hasur në mbetje kockore.

“Në tri javët e fundit, kemi qenë çdo javë nga një ekip i Mjekësisë Ligjore dhe i kemi parë. Sapo arritur ekipi i tretë me radhë, ka hasur në mbetje kockore”, tha Gërxhaliu.

“Tash ndryshon procedura e punës sepse tash kalon lënda nga prokurori te gjykatësi në Serbi dhe merren vendimet se si do t’i qasemi dhe ndërpritet puna me makineri të rëndë, kalohet në vegla dora”, shtoi ai.

Gjetja e mbetjeve mortore në afërsi të Rashkës po ashtu u konfirmua për Radion Evropa e Lirë edhe nga ana serbe.

Kryetar i Komisionit për Personat e Zhdukur të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq, konfirmoi se mbetjet mortore janë zbuluar më 16 nëntor.

“Është e vërtetë. Rreth dhjetë ditë më parë, ne vazhduam kërkimet në vendin Kizhevak, afër Rashkës. Sot, në atë vend u gjetën mbetje”, tha Odalloviq.

“Lokacioni është i njohur që nga viti 2015 dhe në disa raste në vitet e mëparshme, janë bërë kërkime në këtë vend”, shtoi ai.

Ai shpjegoi se zyra e prokurorit kompetent dhe gjykatësi do të përcaktojnë dinamikën e të gjitha aktiviteteve dhe do të urdhërojnë masat që duhet të ndiqen në atë lokacion.

Në bazë të të dhënave të publikuara nga organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare në bazë të raportit të Zyrës së UNMIK-ut për Personat e Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, të cilat gjenden gjithashtu në bazën e të dhënave të organizatës Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), që nga viti 2001, në territorin e Serbisë në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999.

Sipas të dhënave të YIHR në uebfaqen e saj ratusrbiji.rs, në Batajnicë afër Beogradit që nga viti 2001 janë zbuluar 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës; në Petrovo Selo në Serbinë verilindore të paktën 61 trupa; afër Liqenit Peruçac në Serbinë perëndimore 84 trupa, ndërsa eshtrat e para në varrezën masive të Rudnicës në Serbinë jugperëndimore u gjetën më 13 dhjetor 2013.

Ndërsa lokacionin në Krizhevak e ka përmendur Velko Odaloviq, kryetar i Komisionit të Qeverisë serbe për të Pagjeturit. gjatë pranimit të një droni, të cilin Britania e Madhe ia dorëzoi Serbisë përmes të cili mund të identifikohen varrezat masive.

Odaloviq u tha gazetarëve se tri lokacionet e para do të hetohen me kërkesë të Kosovës.

Kosova vazhdon t’i ketë 1,643 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga vitet 1998-‘99.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303