Gjermania dhe Franca vijojnë bisedimet me Kosovën dhe Serbinë

Javën që lamë pas u bë e ditur përfundimisht se takimi i Parisit i planifikuar të mbahet më 1 korrik të këtij viti, nuk do të mbahet. Mbajtja e këtij takimi ishte caktuar që më 29 prill, në ditën kur ishte mbajtur Samiti i Berlinit.

Ky takim i cili pritej që t’i bënte bashkë palën kosovare dhe atë serbe dhe që konsiderohej si një tentativë për të riaktivizuar procesin e dialogut i cili tash e sa kohë është “ngrirë”, u shty për një afat të pacaktuar.

Megjithatë, mediat kanë raportuar se si qeveria gjermane ashtu edhe ajo franceze po vijojnë bisedimet me palët, për t’u përgatitur për takimin e radhës.

Në një përgjigje për Telegrafin nga zyra e kancelares gjermane, kanë thënë se bisedimet përgatitore të mëtejshme janë të nevojshme.

Po ashtu nga Qeveria Federale e kancelares gjermane Angela Merkel, nuk kanë dhënë detaje se cilat ishin arsyet kyçe që quan në anulimin e këtij takimi.

“Mund të konfirmojmë se takimi i njoftuar për 1 korrik është shtyrë. Bisedimet e mëtejshme përgatitore do të jenë të nevojshme”, thuhet në përgjigjen e zyrës federale gjermane për Telegrafin.

Ata më tej kanë theksuar se Gjermania dhe Franca do të vazhdojnë të jetë në kontakt me Kosovën dhe Serbinë.

“Megjithatë, Gjermania dhe Franca do të vazhdojnë të mbesin në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë”, thuhet më tej në përgjigje.