Gjermania dhuron 11 milionë euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, bëri me dije sot në Konferencën e Donatorëve për Rindërtimin, se do të dhurojë 11 milionë euro për Shqipërinë.

Ai gjatë fjalës së tij u shpreh se Gjermania, i ka qëndruar pranë Shqipërisë, që në momentet e para pas tërmetit, por  tani janë të nevojshme paratë. Shuma e dhënë nga ky shtet do të shkojë për banesat, shkollat dhe kopshtet, në zonat e prekura nga tërmeti.

“Gjermania ofroi menjëherë ndihmën e saj nëpërmjet ekspertëve të Agjencisë të Asistencës Teknike. Por tani bëhet fjalë për rindërtimin. Qytetarët në zonat e prekura kanë nevojë për banesa, shkolla dhe kopshte. Gjermania vë në dispozicion për këtë 11 milionë euro. Është një dëshmi e fortë e solidaritetit të BE-së me Shqipërinë fakti që Komisioni Evropian po koordinon asistencën ndërkombëtare të emergjencës dhe ka thirrur për këtë qëllim konferencën e sotme të donatorëve”, tha ministri gjerman.