Gjermania zbut qendrimin për taksën, ka vetëm rezerva ndaj saj

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass ka pritur sot në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli

Në një konferencë të përbashkët pas takimit, Mass ka thënë se Gjermania e ka mbështetur Kosovën që nga fillimi kur shpalli pavarësinë para 11 vitesh.

Mass ka folur edhe për taksën që Kosova i ka vënë mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Në krahasim me vendet e tjera të cilat kanë kërkuar hapur heqjen e taksës, Mass ka thënë se Gjermania ka rezerva sa i përket kësaj çështje.

“Këtu në Gjermani ka disa rezerva sa i përket vendosjes së taksës mbi importet të mallrave nga Serbia dhe BeH, besoj që të gjitha përpjekjet do të çojnë në rezultate pozitive, shpresoj shumë që në këtë kontekst të mund të vijohet me një dialog konstruktiv në mes të Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve e që është edhe kushti thelbësor për sa i përket diskutimeve në kontekstin e përafrimit të vendeve me anëtarësim në BE”, ka thënë Mass.

Ndërkaq Pacolli pohoi se taksa e vënë ndaj mallrave të Serbisë, nuk është vendim ndëshkues por është sqarim për Serbinë që Kosova është shtet i pavarur dhe nuk negocion me askënd për statutin e saj.

”Sa i përket masave që dikush i quan ndëshkuese, janë masa që ne kemi dhënë që cdo kush duhet të kuptojë që në pjesën Jugore të Serbisë, është një shtet që e ka shpallur Pavarësinë e saj dhe është shtet sovran. Kosova asnjëherë nuk do të diskutojë me askënd për statutin e saj”, ka thënë Pacolli.

Mass tutje ka shtuar se marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë pikë e rëndësishme, ndonëse ka pasur disa hapa mbrapa në këtë drejtim kohëve të fundit.

“Ne nuk do të kishim dashur që Serbia të kishte vepruar kundër aplikimit të Kosovës për t’u bërë anëtare e Interpolit, ne sigurisht kemi ofruar mbështetjen tonë për këtë dhe nëse Kosova do të rikandidojë do të japim sërish mbështetjen tonë që ajo të mund të arrijë qëllimin e vet në mënyrë të suksesshme. Duke shpresuar që ky proces të mund të shkojë në drejtimin e duhur, ne mbështesim perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit perëndimor, kush i kthen shpinën vendeve të Ballkanit Perëndimor i kthen shpinën Europës, andaj ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar të punojmë së bashku me ju për të realizuar këtë perspektivë”, ka shtuar Mass.

Lër një koment