fbpx

Gjobë nëse nuk e respektoni/ Manastirliu tregon se ku duhen mbajtur patjetër maskat

Rritja e frikshme e numrit të rasteve me COVID-19, ka bërë që edhe masat të jenë edhe më të ashpra nga autoritetet. Nga Qeveria shqiptare u vendos sot përdorimi i maskës apo barrierës mbrojtëse prej tekstili si të detyrueshme në çdo ambient të mbyllur.

Pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi se ky vendim, është një tjetër hap drejt forcimit të masave për frenimin e përhapjes së COVID19.

Përmes një komunikmi live në ‘Facebook’, ministrja apeloi për zbatimin e këtij vendimi.

“Nëpërmjet vendimit të sotëm të qeverisë dhe aktit normativ, detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të COVID 19 do të jetë detyrim për çdo individ në të gjitha ambientet e mbyllura; në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik; në zyra, shkallë pallati, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, supermakatat, tregjet dhe njësitë e shërbimit”,- tha Manastirliu.

Në rast të mosrespektimit të këtij detyrimi, policia e shtetit, policia bashkiake, strukturat e inspektoriateve shtetërore, që do të penalizojnë me gjobë shkelësit. Masa e gjobës është vendosur 2 mijë lek të reja për çdo thyerje të rregullit. Ministrja e Shëndetësisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e kësaj mase që ndërmerret me qëllim mbrojtjen e shëndetit.