fbpx

Gjykatës Speciale i shtohen gjashtë gjykatës të tjerë ndërkombëtarë

Gjykata Speciale ka njoftuar se regjistrit të gjykatësve të kësaj gjykate i janë shtuar edhe gjashtë gjykatës të tjerë ndërkombëtarë. Emërimin e tyre e ka përshëndetur kryetarja e kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilova.

Në kumtesën e lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës thuhet se “Autoriteti Emërues, ambasadori Lars-Gunnar Ëigemark, pas marrjes së rekomandimeve nga paneli përzgjedhës i pavarur, emëroi gjashtë gjykatës të tjerë në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë (Regjistri) në pajtim me nenin 28(4) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (Ligji)”.

“Gjykatësit, z. Gilbert Bitti (Francë), z. Daniel Fransen (Belgjikë), z. Fergal M. Gaynor (Irlandë), zj. Romina Incutti (Itali), zj. Nina H.B. Jørgensen (Norvegji), dhe z. Roumen H. Nenkov (Bullgari) u shtohen 17 gjykatësve që aktualisht janë në Regjistër”, thuhet në kumtesë, përcjell Telegrafi.

“Autoriteti Emërues gjithashtu emëroi gjykatësin Antonio Balsamo dhe gjykatësin Nenkov posaçërisht si gjykatës të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese dhe zj, Incutti e emëroi gjykatëse rezervë në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese. Me kërkesën e tij, gjykatësi Roland Dekkers nuk është më gjykatës i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, por do të jetë në Regjistër, gjë që i mundëson të caktohet në Dhoma të tjera me përjashtim të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese”..

Sipas komunikatës, kryetarja e kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilova ka përshëndetur ngrohtësisht gjykatësit e emëruar rishtazi dhe deklaroi se pret me kënaqësi të bashkëpunojë me ta dhe me gjykatësit e tjerë të Regjistrit, për përmbushjen efikase dhe të efektshme të mandatit të Domave të Specializuara të Kosovës.