‘Godina nuk ka asnjë vlerë’, Rama nuk ndalet, publikon fjalët e Zamira Kitës

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka reaguar duke shkruar fjalët e aktores së njohur, Zamira Kita, ku sipas saj godina aktuale nuk ka asnjë vlerë.

Edi Rama:

Aktorja e mirënjohur korçare, Zamira Kita, njëra ndër protagonistet e gjeneratës së ndërmjetme, mes themeluesve dhe më të rinjve të komunitetit teatror shqiptar, shumë e duartrokitur dhe e respektuar për kontributin artistik, ndan opinionin e saj për Teatrin Kombëtar bazuar në një eksperiencë të gjatë e plot pasion në skenën shqiptare:

ZAMIRA KITA:

Godina aktuale nuk ka asnjë vlerë. Objektet, sendet, garderoba e aktorëve që kanë luajtur në atë skenë, të ruhen në teatrin e ri që do të ndërtohet, të krijohet një muzeum i vizitueshëm për të gjithë. Duke patur përvojën e Teatrit të Korçës, mendoj se duhet ndërtuar një teatër i ri nga themelet. Teatri Kombëtar ka një amortizim të plotë, nuk është aspak i përshtatshëm për të dhënë shfaqje, nuk është funksional, as komod. Sado që ta rikonstruktojmë atë, nuk besoj se do bëhet një sallë e mirë, e përshtatshme. Unë jam për një teatër të ri. Pse jo, për një projekt si ai që kemi parë, një projekt modern, që të na mundësojë shumë ambiente në funksion të teatrit, siç kemi parë nëpër botë. Mendoj se debati është shfrytëzuar keq nga segmente politike.