Granit Xhaka si Mauro Ikardi! Arsenali nuk e do më, shqiptari hedh sytë nga Milani

Tek Arsenali çështja “Xhaka” duket se do shndërrohet në ato kafshatat e vështira për t’u kapërdirë, të cilat i ke më të lehta ti hedh sesa t’i kapërdish. Tashmë në Londër situata e ish-kapitenit është një “patate e nxehtë” për t’u mbajtur në dorë, situatë e njëjtë me atë që përjetoi Mauro Ikardi tek Interi.

Edhe trajneri Unai Emeri shkarkon lojtarin, ndonëse përpiqet të tregohet diplomatik. “Kemi nevojë për një lojtar si Graniti, por nuk e di nëse do të luajë më me ne”.

Ndërkohë mediat britanike raportojnë se mesfushori i Zvicrës nuk po rri duarkryq dhe po sheh opsionet përqark. Natyrisht krisja me Arsenalin dhe tifozërinë është e thellë aq sa vetë Xhaka nuk ka ndërmend ta mbushë këtë hendek. Në këto kushte, mesfushori pret një sistemim të ri dhe duket se në janar, opsioni më i mirë për të është Milani.