fbpx

Greqia mbyll nesër kufijtë me Serbinë

Greqia ka vendosur që të mbyllë nga ora 06:00 sipas orës lokale, kufirin për të gjithë shtetasit serbë që duan të hyjnë në territorin grek, pavarësisht pikës kufitare që ata do të zgjedhin.

Lajmin e bëri publik zv/zëdhënësja e qeverisë greke, e cila deklaroi se vendimi u mor pas shtimit drastik të të prekurve me COVID-19.

Masa e pezullimit të përkohshëm do të jetë në fuqi deri në datën 15 korrik, datë në të cilën pritet të vendoset edhe hapja ose jo e kufirit me vendet e tjera fqinje të Greqisë, siç është Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Sipas zonjës Peloni, Greqia ruan të drejtën të përshtasë politikat e saj sipas përshkallëzimit të situatës. Në çdo rast ka thënë ajo, Greqia mbetet vend mikpritës dhe tepër i sigurt për turistët që dëshirojnë të kalojnë pushimet në vend.

Po ashtu edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka deklaruar tek agjencia e lajmeve “Tanjug” se nga nesër në orën 6 të mëngjesit Greqia do të mbyllë kufijtë e saj për qytetarët e Serbisë.

“Zyra e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar ambasadën serbe në Athinë se Greqia do të mbyllë kufijtë e saj për qytetarët serbë nga nesër, përveç rasteve të jashtëzakonshme ku do të ketë një leje të veçantë,” ka thënë Ivica Daçiç për agjencinë serbe të lajmeve.

Ministri i Jashtëm serb u bëri thirrje qytetarëve që planifikuan të udhëtojnë në Greqi që ta anulojnë vendimin e tyre për të shmangur më pas vajtjen deri në kufirin e Greqisë me Bullgarinë, në Promahona dhe kthimin e tyre pas.