Greqia nuk do të tolerojë hyrjet e paligjshme të emigrantëve

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha sot se vendi i tij nuk do t’i tolerojë emigrantët që hyjnë në mënyrë të paligjshme nga Turqia.

“Një numër i konsiderueshëm emigrantësh e refugjatësh janë mbledhur në grupe të mëdha në kufirin tokësor greko-turk dhe kanë tentuar të hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme”, shkroi Mitsotakis në Twitter.

“Dua të jem i qartë, nuk do të tolerohet asnjë hyrje e paligjshme në Greqi. Ne jemi duke rritur sigurinë tonë kufitare”, shtoi ai.

Mitsotakis, i cili është përpjekur të lehtësojë barrën e vendit të tij në lidhje me dhjetëra mijëra emigrantët e bllokuar në tokën e tij, theksoi se Greqia nuk mban përgjegjësi për ngjarjet tragjike në Siri dhe nuk do të vuajë pasojat e vendimeve të marra nga të tjerët.