Greva e punëtorëve në Ballsh, flet administratori: Fajtorë janë…

Administratori i kompanive “Byllis Energji SHA” dhe “Tosk Energji SHA”, Blerim Hoxha reagoi pasditen e të premtes në lidhje me grevën e punëtorëve të Rafinerisë së Ballshit. Fillimisht ai tregon se në 18 muaj si drejtues i Rafinerisë së Ballshit, ka paguar çdo detyrim financiar ndaj punëtorëve.

Blerim Hoxha: Dua të informoj se kam punuar dhe e kam menaxhuar këtë uzinë për mbi 18 muaj, kam paguar çdo detyrim që kam ndaj jush, ndaj taksave shtetërore dhe ndaj palëve të treta. Dua të informoj që nga fillimi i aktivitetit dhe deri më tani shoqëritë kanë humbur mbi dhjetëra milion dollarë, por duhet të theksoj fortë se këto shuma të humbura janë të vetë shoqërive, jo lekë të shtetit ashtu si kanë vepruar shoqëri të tjera.

Më tej, ai tregon se fajin për situatën e krijuar në Ballsh e ka Bankers Petroleum. Sipas Blerim Hoxhës, kjo kompani nuk e furnizon me sasinë e nevojshme të naftës bruto Rafinerinë e Ballshit, me qëllim që ajo të punojë.

Blerim Hoxha: Që në fillimet e aktivitetit në Rafinerinë e Ballshit unë u kam shprehur disa herë problematikën me Bankers Petroleum, nuk mund të punojmë nëse nuk kemi furnizimin  nevojshëm me naftë bruto. Ju më mirë se unë e dini se ajo rafineri duhet të punojë me të paktën 50 mijë ton/muaj naftë bruto dhe jo me sasitë e ofruara nga Bankers Petroleum, që asnjëherë nuk e kanë kaluar sasinë prej 20 mijë tonë në muaj. 

Blerim Hoxha tregon gjithashtu se për situatën i është drejtuar autoriteteve gjyqësore dhe atyre shtetërore. Sipas tij, prej 15 muajsh Autoriteti i Konkurencës nuk ka ndërhyrë për të dhënë një zgjidhje.

Blerim Hoxha: Kërkesa jonë është shumë e thjeshtë, naftën e nëntokës shqiptare ta shesi te Rafineria Vendase. U kemi ofruar pagesa parapagim, garanci bankare dhe çdo gjë tjetër për arritjen e qëllimit për furnizimin, por përsëri nuk pranojnë që ta sheshin naftën në Shqipëri. Ka mbi 13 muaj që ndjek rrugën gjyqësore, ka një vendim gjykate për furnizimin e rafinerisë por përsëri ata nuk pranojnë të furnizojnë. Ka mbi 15 muaj që i jam drejtuar Autoritetit të Konkurencës që të ndërhyjë për të dhënë një zgjidhje dhe akoma nuk ka një vendim apo masë prej tyre për dhënë një zgjidhje. 

Nëdërkohë, Blerim Hoxha tregon se rafineria ka mbyllur punën në fund të shtatorit, dhe deri në atë kohë, ai pretendon se ka shlyer të gjitha detyrimet. Më tej, ai thotë se nëse do të ketë një dritë jeshile për të rindezur rafinerinë, të gjithë punëtorët do të rifilliojnë punën. Megjithatë, lidhur me gjendjen e krijuar, administratori i dy kompanive ka premtuar se do të shlyejë 3 pagat e muajve të fundit për ta.