Si i humbi trinjakët në muajin e 6-të gruaja nga Bulqiza

ambulance.jpg

Një grua shtatzënë që priste tre fëmijë, i humbi trinjakët pas mbërritjes në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Bulqizës. Enkelejda Rexhepi, nga fshati Ostren, i ishte drejtuar spitalit pasi ishte ndjerë keq. Dyshohet se gruaja të ketë qenë duke kryer punë të rënda në fsahtin e saj, çka i ka sjellë edhe ndërlikime shëndetësore për veten dhe tre foshnjet.

Drejtori i Spitalit të Bulqizës, Hazis Jella, thotë se 31-vjeçarja ishte 24 javëshe shtatzënë. Ai tregon se gruaja erdhi me dhimbje të mëdha në spital, dhe se gjendja e foshnjeve ishte e papajtueshme për jetën. Të gjendur në këtë situatë – thotë ai, detyrë ishte t’i shpëtonim jetën gruas, e cila gjithashtu rrezikonte jetën.

Mjekë dhe infermierë kanë asistuar për të bërë lindjen e parakohshme të fëmijëve, por rasti ishte me rrezik, tregon drejtori – duke shtuar se i është dashur të thërrasin me urgjencë mjekë nga Tirana, nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë”.

Për ngjarjen e rëndë pati edhe një reagim nga Ministria e Shëndetësisë.

Nëna është paraqitur në spitalin e Bulqizës në orën 12:00 të ditës së sotme. Nëna e re është asistuar për lindjen e trinjakëve me moshë barre të parakohshme 24 javëshe.

31-vjeçarja është asistuar për lindjen e fëmijës së parë nga mjeku i përgjithshëm Fatos Hoxha dhe dy mami të maternitetit të Bulqizës.

Për shkak të komplikacioneve, menjëherë është njoftuar ekipi i urgjencës kombëtare mjekësore dhe është nisur nga Tirana një ekip i specializuar nga Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” me helikopterin e Urgjencës Kombëtare. Brenda 20 minutash, helikopteri me ekipin e specializuar nga Tirana ka mbërritur në spitalin e Bulqizës. Mjekët e specializuar të maternitetit të Tiranës kanë asistuar dy lindjet e tjera dhe kanë shpëtuar nënën e re, e cila rrezikonte jetën.

Për shkak të moshës së vogël të barrës (24 javë është e papajtueshme me jetën), trinjakët nuk kanë mundur të mbijetojnë, ndërsa nëna tashmë është jashtë rrezikut për jetën dhe në këto momente është nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë.

 

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303