Hahn-Mogherini: Presim të formohet sa më shpejt qeveria e Kosovës

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, dhe komisioneri i BE-së për zgjerim, Johannes Hahn, kanë komentuar zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit në Kosovë kanë thënë se procesi ka qenë i qetë dhe i rregullt.

Ata kanë thënë se presin formim sa më të shpejtë të qeverisë së re. Sipas tyre, kjo është e rëndësishme në mënyrë që Kosova të vazhdojë të punojë në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social, në sundimin e ligjit, në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në dhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Presim që të gjithë aktorët politikë të mbeten të përkushtuar ndaj këtyre proceseve që janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, për përparim në rrugën evropiane dhe, më e rëndësishmja, për përfitimin e qytetarëve të Kosovës dhe të të gjithë rajonit”, thanë Federica Mogherini dhe Johannes Hahn.

Zyrtarët e BE-së morën të martën një raport nga misioni i tyre vëzhgues, i cili ishte vendosur në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 6 tetor.

Rezultatet paraprake të këtyre zgjedhjeve e kanë nxjerrë fituese Lëvizjen Vetëvendosje, e cila pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.