Hajdari: Dorëzimi i mandateve dhe arroganca qeveritare nuk janë zgjidhje

Deputetja Rudina Hajdari ka reaguar sërish në lidhje me situatën politike në Shqipëri, kësaj radhe me anë të një postimi ne rrjete sociale. Ditën e sotme, Hajdari ka shpërndarë një foto në ‘Facebook’ së bashku me ambasadoren e Gjermanisë në Tiranë, Sussane Shutz, ku shkruan se kanë biseduar për situatën e vështirë ku ndodhet Shqipëria.

“Është e papranushme që politika në tërësi të vazhdojë me modelin e vjetër që nuk përfaqëson aspak qytetarët Shqiptarë, aspiratat, qëllimet dhe vlerat e tyre. Dorëzimi në bllok i mandateve nga ana e opozitës nuk është zgjidhje ashtu siç nuk është aspak zgjidhje arroganca qeveritare.
Sjellja e politikës Shqiptare sot është modeli më i keq i mundshëm që po i ofrojmë qytetarëve Shqiptarë dhe sidomos të rinjve”, shkruan Hajdari.

Më tej, ajo shkruan se situata mund të agravojë kur aktorët nuk vlerësojnë siç duhet rrethanat.

“Të gjithë aktorët kanë detyrimin që të reagojnë sa më parë për të orientuar një zgjidhje politike të gjithëpranueshme për krizën e paprecedentë në cilën gjendet sot Shqipëria, për një zgjidhje që siguron në radhë të parë interesin qytetar dhe kombëtar, pa cenuar demokracinë me qëllim që të ndikojmë pozitivisht të ardhmen e Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në BE”, përfundoi shkrimi i Hajdarit./real-news.tv