Hap fushatën në Lezhë/ Rama i thotë Pjerin Ndreut “Kokëderr”

Teksa ka hapur fushatën zgjedhore në Bashkinë e Lezhës, Kryeministri Edi Rama s’i ka kursyer fjalët e mira për kandidatin për kryebashkiak, Pjerin Ndreun. Para qytetarëve lezhianë, Rama tha se është i mençur por kokëderr pasi ka gjithmonë kërkesa e ankesa.

“I mençur e kokëderr, i përkushtuar e i vendosur për t’i shkuar punëve deri në fund, por mbi të gjitha i lidhur me njerëzit, me territoret këtu.

Unë e di mirë se çfarë më pret me këtë zotëri. E di mirë se çfarë më pret. Vetëm ankesa dhe kërkesa. Por asnjëherë ankesa dhe kërkesa personale, por gjithmonë për Lezhën. Për një fshat, për një familje, për një gjenerator apo për dikë që duhet të operohet. Ma kishte shprehur ambicien e tij kohë më para. Donte ta drejtonte Lezhën dhe unë i thashë tregoje veten si deputet dhe pastaj të shohim a të duan apo nuk të duan. Se Lezha në një farë mënyre është një hall më vete, malësorë, mirditorë, pukianë, lezhjanë, dibranë, zadrimorë. Hajde ta gjesh kë duan. I jam falënderues Pjerinit se na hoqi një dhimbje koke mua e Linditës sepse të gjithë ju së bashku e propozuat për kandidat për bashkinë e Lezhës”, tha ndër të tjera Rama. /real-news.tv/