Hapet në Tiranë ‘Lilium’, qendra e parë për viktimat e dhunës seksuale

Hapet LILIUM, e para qendër në Shqipëri për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu mori pjesë në inagurimin e qendrës së re që do të trajtojë me të gjitha shërbimet, viktimat e dhunës seksuale.

“Qendra Lilium, që ka emrin e një luleje, është qendra e parë e menaxhimit të krizës për rastet e dhunës seksuale në Shqipëri, ku do të ofrohen shërbime të integruara për viktimat e dhunës seksuale”, tha Manastirliu.

Të gjitha shërbimet e kujdesit shëndetësor, ekzaminimi mjeko-ligjor, mbledhja e provave për ndjekjen e rastit nëpërmjet drejtësisë penale dhe shërbimet psikosociale, ofrohen në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend dhe nga profesionistë të specializuar veçanërisht për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

“Për shkak të stigmës dhe mungesës së shërbimeve të specializuara, rastet e dhunës seksuale janë të nënraportuara por ne besojmë se me hapjen e kësaj qendre tashmë me standarte të çertifikuara, do të kenë mundësi të marrin shërbim pa dallim dhe në anonimitet të plotë të gjithë viktimat e dhunës seksuale”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu theksoi se modele të tilla të qendrave që ofrojnë shërbime multidisiplinate për viktimat e dhunës seksuale do të shtrihen në të gjithë vendin.

Lër një koment