fbpx

Haradinaj, letër ambasadorëve të QUINT-it: 5 kushte për heqjen e taksës

ramush-haradinaj-foto-xhemail-sllovinja-7.jpg

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka shkruar sot një letër ambasadorëve të Quint-it dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë, në të cilën i ka bërë të ditura kushtet për pezullimin e taksës 100 %.

Ai përmend pesë kushte që, sipas tij, do të sillnin heqjen e taksës nëse plotësohen.

Letra e plotë e Kryeministrit Haradinaj

Pas marrjes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND-së) se shpallja e pavarësisë nga ana e Kosovës në vitin 2008 nuk ishte e paligjshme, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën nr. 64/298 (2010), e cila njohu përmbajtjen e Opinionit të GJND-së dhe mirëpriti “gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar procesin e dialogut ndërmjet palëve”.

Ne kemi bindje të thelle që mund të arrihet në vitin 2019 një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i adresojë të gjitha çështjet e pazgjidhura, duke përfshirë reparacionet e luftës, të drejtat e minoriteteve në të dyja vendet, si dhe çështjet e ndryshme ekonomike, sociale dhe kulturore – duke shpjer në njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Më 21 nëntor 2018, Qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100% (‘taksa’) mbi importin e mallrave me origjinë nga Serbia si dhe nga Bosnja dhe Hercegovina.

Taksa ka ardhur si përgjigje ndaj shkeljeve të vazhdueshme të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore (CEFTA) dhe akteve të vazhdueshme të agresionit që kanë për qëllim dëmtimin e shtetit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës do të pezullojë menjëherë tarifën në rast se plotësohen rrethanat e mëposhtme:

  1. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), pas marrjes së hapave praktik për inicimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare (“Konferenca”) me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura ndërmjet dy

vendeve – konferenca duhet të fillojë sa më parë që është e mundur pas plotësimit të rrethanave të përshkruara në paragrafët 2 deri në 5 më poshtë dhe duhet të përfundojë brenda 14 ditëve:

  1. SHBA-të dhe BE-ja do të japin zotime publike dhe do të garantojnë që në Konferencë nuk do të ketë:

(i) Çfarëdo rivendosje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje të Kosovës, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre.

(ii) Dhënie të kompetencave ekzekutive të çfarëdo forme për asociacionin e komunave serbe në Kosovë ose ndonjë marrëveshje

tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

(iii) Masa të çfarëdo natyre të bazuar në koncesione që shkojnë para datës 17 shkurt 2008.

  1. BE-ja do të jep zotime shtesë publike dhe do të garanton se:

(i) Do të hyj në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës para fillimit të Konferencës.

(ii) Do të zbatohet dhe do të jetë plotësisht funksionale Marrëveshja për Energji e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para fillimit të Konferencës

  1. Është verifikuar se Serbia ka larguar të gjitha barrierat jo-tarifore të shkaktuara ndaj lëvizjes së mallrave nga Kosova, si dhe të gjitha kufizimeve të paligjshme në tregtinë e shërbimeve dhe lëvizjen e njerëzve nga Kosova në Serbi.
  2. Presidenti, Kryeministri ose Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë konfirmojnë publikisht se janë ndaluar në mënyrë permanente të gjitha politikat dhe veprimet e çfarëdo lloji të drejtuara kundër aspiratave të Kosovës si shtet sovran qoftë nëse ato aplikohen në nivel lokal, rajonal apo ndërkombëtar.

Tarifa do të ri-vendoset menjëherë nëse Konferenca nuk përfundon me një marrëveshje gjithëpërfshirëse të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron, ndër të tjera, njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Tarifa do të ri-vendoset në një datë të mëvonshme nëse nuk arrihet të zbatohet marrëveshja gjithëpërfshirëse e detyrueshme e arritur në Konferencë.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303