Haradinaj nuk tërhiqet nga taksa edhe pas paralajmërimit të SHBA

ramush-haradinaj.jpg

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përsëritur se nuk do të shfuqizohet tarifa 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, pa njohje reciproke.

“Nëse në Beograd thonë që kurrë nuk ju njohim, edhe ne nuk mund të përdorim fjalë tjetër. Nëse ai thotë se kurrë nuk ju njoh edhe ne mund të themi se kurrë nuk e heqim taksën”, tha Haradinaj gjatë një takimi me degën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Ferizaj.

Deklarata e kryeministrit Ramush Haradinaj vjen pas një paralajmërimi të lëshuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara, ku përveç tjerash, ritheksohet pikëpamja se një pezullim i menjëhershëm i tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnja është një masë e nevojshme për të rimëkëmbur momentumin në procesin e dialogut.

“Veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash, dhe refuzimi për të pezulluar tarifat – gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-ve”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të vitit të kaluar, fillimisht vendosi taksë doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo tarifë doganore u rrit në 100 për qind më 21 nëntor./real-news.tv/

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303