fbpx

‘Harrohet’ tërmeti, në janar më pak sigurim prone, kompanitë paguan 3.3 milionë euro për dëmet nga shkatërrimet

1583476226_durres21.jpg

Me kalimin e muajve pas tërmeteve të shtatorit dhe nëntorit duket se është zbehur frika e shqiptarëve për të siguruar pronën. Janari i këtij viti është mbyllur me një rënie të primeve të shkruara buro në raport me janarin e vitit 2019. Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se në vlerë primet e shkruara bruto për klasën e sigurimit nga zjarri, dhe forcat e natyrës u tkurrën me 1.45 për qind duke kapur nivelin 114.8 milionë lekë nga 116 milionë që ishin janarin e 2019-ës. Si pjesë e totalit ky prim zë në portofolin e sigurimeve 8.89 për qind ndërsa një vit më parë zinte 10.04 për qind. Por AMF raportoi se sa i takon kontratave numri ka qenë më i lartë. Kjo do të thotë që vlera e pronave që është siguruar është më e ulët se ajo e një viti më parë por numri i tyre më i lartë.

“Vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 62.76%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësi të përgjithshme civile me 27.75% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë janarit 2020, vihet re një ulje prej 1.45% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 22.40% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me janarin 2019” thuhet në njoftimin e AMF.

Një zbehje të interesit për sigurimin e pronës raportojnë edhe operatorët e tregut të cilët shprehen se interesi ishte vetëm pak ditë pas ngjarjeve të tërmeteve të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit për tja lënë më pas vendin indiferencës. Aktualisht qeveria ka në sirtarët e saj një draft që synon të ngrejë një mekanizëm pagese sigurimi të detyrueshëm për pronën nga tërmetet por që ende nuk është diskutuar gjerësisht.

E teksa ka rënie të vlerës së pronës së siguruar e kundërta ka ndodhur me kompanitë  që këtë herë kanë zhvendosur pagesat nga dëmet motorrike ku ka mbizotëruar tendenca historikisht, tek dëmet për sigurimin e pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës.

Nga totali prej 752 milionë lekë të paguara vetëm në janar vetëm për sigurimin e pronës janë paguar 57.8 për qind e kësaj vlere çka korrespondon me 406 milionë lekë. Një vit më parë për këtë kategori dëmesh ishin paguar vetëm 14 milionë lekë sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Duke qenë se fokusi ka qenë tek pagesat e dëmeve të pronës ajo që vihet re është rënia e pagesave tek grupi i dëmeve motorike. Për përgjegjësi motorike ndaj palëve të treta  është paguar vlera 141 milionë lekë apo rreth 25 për qind e totalit të gjithë vlerës së dëmeve të paguara në muajin e parë të vitit. Kjo shifër është me një rënie 34.27 për qind në raport me janarin e vitit 2019.

Rënie ka qenë evidente në pagesën e dëmeve në raport me janarin 2019 në të trija kategoritë që përfshin përgjegjësia motorike ndaj palëve të treta nga MTPL-ja tek kartoni jeshil e deri tek kufitare. Monitor

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303