fbpx

‘Hëngri kokën’ e shefit të komisariatit, vihet ‘shiriti’ tek liqeni i Tiranës

Mos vigjilenca e punonjësve të policisë te Parku i Liqenit në Tiranë bëri që dy ditë më parë drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu të merrte vendimin për të shkarkuar shefin e Komisariatit Nr.1 në Tiranë.

Qytetarët e Tiranës u dyndën te Liqeni edhe pse ende rreziku i covid-19 nuk është mënjanuar.

Ndërkohë që sipas asaj që raporton Abc Neës në të gjitha pikat hyrëse të Liqenit Artificial janë vendosur punonjës policie të cilët bëjnë kontrollin e qytetarëve për pajisje me autorizimin përkatës, dhe në rast të kundërt ata ndëshkohen me masë administrative, gjobë.

Dyndja e madhe e qytetarëve në rrugët e kryeqytetit ka qenë mjaft e theksuar gjatë ditëve të fundit, veçanërisht pas tendencës në ulje të shifrave në tre ditët e para të javës, të cilët pësuan një kapërcim të dukshëm të enjten dhe të premten.

Kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi dje se gjatë këtyre ditëve në Tiranë është parë shkelje e fashës orare sidomos në zonën e liqenit Artificial. Ai paralajmëroi se nëse numrat e të infektuarve në Tiranë rriten, kryeqyteti jo vetëm që nuk do të kthehet në zonë të gjelbër, por rrezikon të kthehet nga zonë e kuqe, në zonë të mbyllur fare.