Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici ka reaguar pas heqjes së titullit “Nderi i Qarkut Kukës” politikanit kosovar Veton Surroi.
Pas diferencimit të kryeministrit Edi Rama nga ky vendim, ka vendosur të diferencohet edhe Gjici.
Rama u shpreh se ky vendim i Këshillit të Kukësit është një lajthitje kolektive, por uron që Prefekti ta refuzojë. Nga ana tjetër, Gjici e ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se ky vendim është Këshillit të Qarkut Kukës dhe jo i këshillit Bashkiak Kukës.
Sipas tij, vendimi merr formë vetëm nëse konfirmohet nga Prefekti i Qarkut.
“Reagim i Detyruar!
Nisur nga shumë lajme nga media dhe portalet për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, duhet sqaruar se ky është një projekt -vendim i Këshillit të Qarkut Kukës dhe jo i këshillit Bashkiak Kukës.
Ky projekt -vendim kolegjial i marrë nga Këshilli i Qarkut ,merr formë nëse do konfirmohet nga Prefekti i Qarkut sipas bazës Ligjore”,- shkruan Gjici.