Hetimi ndaj Trump/ Japin dëshmi publike dy zyrtarë të Departamentit të Shtetit

Ka nisur seanca e dëshmive publike në Dhomën e Përfaqësuesve lidhur me hetimet ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.

Dy zyrtarë të Departamentit të Shtetit – William Taylor, diplomati më i lartë aktual amerikan në Ukrainë dhe George Kent, i cili mbikëqyr çështjet e Ukrainës po dëshmojnë para ligjvënësve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Të dy zyrtarët kanë thënë se Trump i bëri presion presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy për të hapur hetime ndaj njërit prej kundërshtarëve të tij kryesorë demokrat, Joe Biden, si kusht që të zhbllokonte ndihmën ushtarake prej 391 milion dollarësh për Kievin, i cili e kërkonte për të luftuar separatistët pro-rusë në pjesën lindore të vendit.

Taylor u shpreh se shqetësimet e tij “u thelluan” në gusht kur iu tha “presidenti nuk dëshiron të sigurojë asnjë ndihmë” për Ukrainën.

Taylor dëshmoi se i tha Këshilltarit të atëhershëm të Sigurisë Kombëtare, John Bolton, për shqetësimet e tij, dhe Bolton rekomandoi që ai t’ia transmetonte shqetësimet e tij Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, gjë që ai bëri.

Taylor vijon me deklaratën e tij duke thënë se ambasadori amerikan në BE Gordon Sondland i tha atij se dëshironte të “sigurohej që askush nuk po transkriptonte ose monitoronte pasi ata shtuan presidentin e Ukrainës, Zelensky në telefonatë” – një kërkesë që Taylor e quante “të çuditshme”./real-news.tv/