Hetimi ndaj Trump/ Jep dëshminë ish ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë

Dhoma e Përfaqësuesve po dëgjon sot një dëshmitare të vetme në seancën e dytë publike për hetimin e presidentit Donald Trump.

Marie Yovanovitch, ish ambasadorja amerikane në Ukrainë, u vu në shënjestër të aleatëve të presidentit në një fushatë “njollosjeje” që tani është në qendër të hetimit.

Diplomatja e karrierës, e cila u ka shërbyer si presidentëve republikanë, ashtu edhe atyre demokratë, deklaroi se ajo nuk ndoqi një axhendë politike në Ukrainë.

“Unë nuk kisha axhendë tjetër përveç të zbatoja qëllimet tona të përcaktuara të politikës së jashtme,” tha ambasadorja, Marie Yovanovitch, në fjalën e saj të hapjes në ditën e dytë të seancave dëgjimore për hetimin e Trump në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA.

Ajo dhe zyrtarë të tjerë që tani po dëshmojnë publikisht në seancat historike të Dhomës së Përfaqësuesve, po japin versionet e tyre të ngjarjeve, ku demokratët po mbështeten për të ngritur argumentin se sjellja e presidentit është e pafalshme.

Yovanovitch dhe diplomatë të tjerë kanë thënë se Rudy Giuliani, avokati personal i Presidentit Trump, ishte njeriu që drejtonte atë që ata e quajnë ‘kanal të parregullt’ jashtë rrjedhës diplomatike të marrëdhënieve SHBA-Ukrainë.

E pyetur gjatë dëshmisë së saj me dyer të mbyllura nëse dikush në Departamentin e Shtetit që ishte në dijeni të rolit të Giuliani, u përpoq ta pengonte, ajo tha: “Nuk besoj se ata mendonin se mund të më ndalnin”.

Yovanovitch u hoq nga posti i saj si ambasadore në Kiev në maj, pasi u sulmua nga avokati personal i Trump, Rudy Giuliani, në një kohë kur ai po punonte për të bindur Ukrainën të kryejë dy hetime në mënyrë që të përfitonin politikisht nga presidenti republikan.

Giuliani ishte duke u përpjekur për të drejtuar hetimet ukrainase të pretendentit presidencial demokrat, Joe Biden dhe djalit të tij./real-news.tv/