Holanda kthen kohët e arta. Gjermania bie nga kategoria

holandaok.jpg

Holanda është rikthyer! “Tulipanët” kanë mposhtur pastër 2-0 kampionët në fuqi të Botës, Francën, në Roterdam.

Golin e avantazhit vendasit e gjetën në minutën e 44-t, me anë të mesfushorit Ëijnaldum. Më pas, pjesa e dytë ishte një dialog i vazhdueshëm mes sulmuesve të Holandës dhe portierit francez Hugo Lloris, që në të paktën 3-4 raste shpëtoi kampionët e botës nga pësimi i golit të dytë.

Nga ana tjetër, yjet e Francës u panë të izoluar në gjysmëfushën holandeze, duke humbur thuajse gjithmonë duelet me fanellat portokalli dhe duke mos kërcënuar asnjëherë seriozisht portën e Cillesen.

Kur dukej se gjithçka kishte përfunduar, në minutën e fundit shtesë Holanda fitoi një 11-metërsh, të cilën e mori përsipër ta ekzekutojë Memphis Depay. Sulmuesi i Lyon arriti të dërgojë topin në rrjetë për herë të dytë, falë një gjuajtjeje “alla-Panenka”, që mposhti portierin Lloris.

Tashmë Holanda do të luajë pas 3 ditësh në transfertën ndaj Gjermanisë, ku i duhet të paktën një barazim për të siguruar vendin e parë në grup, ndërsa Franca që aktualisht është në krye, e ka mbyllur aventurën në Ligën e Kombeve dhe shpreson që Gjermania t’i bëjë nder për të mbetur e para.

Vlen të theksohet se me fitoren sot të Holandës, Gjermania ka rënë matematikisht në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303