fbpx

Humbja e gjyqit të Becchettit, reagon ashpër Meta: Për kapriçon e Ramës, SPAK urgjent të hetojë

ilir-meta.jpeg.jpg

Presidenti Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar lidhur me humbjen e gjyqit nga ana e Shqipërisë me biznesmenin Francesco Becchetti. Nga kjo humbje gjyqi, Shqipëria duhet të paguajë 110 milion euro, ndërkohë Meta shprehet se e ka paralajmëruar prej kohësh qeverinë që të hiqte dorë nga arroganca dhe të tërhiqej nga vendimet abuzive.

Presidenti ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama duke thënë se është faji i tij që Shqipëria duhet të humbasë 110 milionë euro.

“Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro” shkruan Meta.

Në fund të reagimit të tij, Presidenti Meta i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.

Reagimi i plotë i Metës:

E kam paralajmëruar prej kohësh Qeverinë ende në detyrë të heqë dorë nga arroganca dhe të tërhiqet nga çdo vendim abuziv e jashtë procedurave ligjore ndaj investitorëve të huaj në vendin tonë.

Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro.

Skandali merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.

Në këto kushte, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.

Është koha, që Drejtësia të vendosë para përgjegjësisë ligjore, të gjithë shkaktarët e këtij dëmi ekonomik, edhe për të parandaluar në të ardhmen dëme më të mëdha për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë, për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me pushtetin të zyrtarëve të lartë.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303