Shteti që “nuk i bindet” BE-së, heq kufizimet vetëm për Serbinë

orban.jpg

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka deklaruar se nuk do të zbatojë rekomandimin e Bashkimit Europian për të hequr kufizimet e udhëtimit për më shumë vende jashtë bllokut 27-anëtarësh.

Ai tha se ky qëndrim vjen për shkak të rrezikut të shpërthimeve të rasteve të reja me koronavirus.

“Ne, aktualisht, nuk mund të zbatojmë kërkesën e BE-së për të lejuar hyrjen e qytetarëve jo të BE-së, me përjashtim të Serbisë”, tha Orban në një video-mesazh në Facebook.

Bashkimi Europian, më 30 qershor, ka nxjerrë një listë të vendeve me më pak raste me koronavirus – qytetarët e të cilave lejohen të hyjnë në bllok nga 1 korriku.

Hungaria, vend me gati 10 milionë banorë, ka raportuar rreth 4,100 raste me koronavirus dhe rreth 590 vdekje.

Budapesti ka rihapur kufirin me Serbinë fqinje, e cila ka një popullsi të madhe etnike hungareze që jeton kryesisht përgjatë kufirit me Hungarinë në muajin maj

“Heqja e kufizimeve të udhëtimit për më shumë vende jashtë BE-së do të shkonte kundër interesave të kujdesit shëndetësor për popullin hungarez”, tha Orban.

Vendet në listën e BE-së janë: Algjeria, Australia, Kanadaja, Japonia, Gjeorgjia, Mali i Zi, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Serbia, Koreja e Jugut, Tajlanda, Tunizia dhe Uruguaji, si dhe Kina nëse ka reciprocitet. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk janë në listë.

Edhe disa vende të tjera të BE-së gjithashtu kanë shprehur rezerva në lidhje me heqjen e kufizimeve të udhëtimit.

Austria ka thënë më 1 korrik se do të ndjekë rekomandimin e BE-së, por jo për Serbinë dhe Malin e Zi.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303