Hyri nëntori tragjik i ndarjes nga jeta të Sokol Olldashit, e ëma: Jam me dhimbjen brenda për Kolin tim…

Hyri muaji nëntor, muaji kur u nda nga jeta politikani i Partisë Demokratike, shkrimtari e gazetari Sokol Olldashi.

Të parët që e kujtojnë janë familjarët. Nëna e tij, Kozeta Mamaqi, shkruan me dhimbje në zemër edhe pas 6 vitesh, raporton newsbomb.al.

“E dashur motër, hyri nëntori, muaji, që mori Kolin e ti po e kujton çdo ditë, sepse e deshe fort.

Unë e kujtoj në çdo dite të viteve e flas me të. Flas edhe me Ardin. Ky muaj është muaji, kur të dy vëllezërit u takuan para gjashtë viteve për herë të fundit…Thonë që dhimbja daravitet, por jo, zemër. Ajo të rëndon në shpirt e atje ushtron trysni të paparë. Por, është e vërtetë ajo thënia tjetër, që ia dha njeriut dhe ai e duroi. Unë jam edhe me dhimbjen brenda për ta kujtuar çdo ditë Kolin tim, që e rrita me shumë privime e sakrifica, por që ..,oh Zot!

Faleminderit motër, që vijon ta duash si në të gjallë birin tim!, shkruan Kozeta Mamaqi, raporton newsbomb.al.

Sokol Olldashi u nda nga jeta natën e 20 nëntorit 2013, në një aksident tragjik në rrugën Elbasan-Tiranë. Çdo muaj nëntor, ai kujtohet nga miqtë e familjarët e tij.