I dërguari i Trump përfundon takimet në Kosovë, marrëdhëniet me Serbinë në fokus

I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka përfunduar takimet me të gjithë liderët partiakë në Kosovë.

Fillimisht ai takoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Më pas ai ka takuar liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin – i cili sipas rezultateve të deritanishme zyrtare del se është fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit.

Pas Kurtit, emisari i Donald Trumpit ka takuar kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën dhe kandidaten e këtij subjekti për kryeministre, Vjosa Osmanin.

Grenell u takua gjithashtu edhe me dy liderët e tjerë partiakë – Kadri Veselin e PDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së.

Presidenti Thaçi ka falënderuar ambasadorin Grenell për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha periudhat.

“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi: “Kjo shton konfidencën dhe besimin tonë në kërkimin e marrëveshjes së paqes me Serbinë”.

Në këtë takim u tha se marrëveshja e paqes midis Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.

Ambasadori Richard Grenell, Përfaqësues Special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka shfaqur shpresën se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje.

Ai ka theksuar se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vërë themelin për rritje ekonomike dhe do t’i kontribuojë mirëqenies së gjithë qytetarëve.

Presidenti Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës do, të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.