I dërguari i Trump takohet me Albin Kurtin

Përfaqësuesi Special i Presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka filluar edhe takimet me krerët e partive politike në Kosovë.

Grenell është takuar edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaci, ndërsa pas takimit në ambasadën amerikane ka zhvilluar një takim me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti.

Pas takimit, asnjë prej tyre nuk komentoi se çfarë u bisedua në takim.

Ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donlad Trump, ka zgjedhur ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguar të administratës amerikane për dialogun Kosovë-Serb.

Departamenti amerikan i shtetit po kërkon që dialogu mes dy vendeve të nisë sa më shpejt.

Në deklaratën e parë pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, një zëdhënës i departamentit të shtetit tha se SHBA pret që udhëheqja e re të fillojë menjëherë bisedimet me Serbinë, për të gjetur një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.

“Ne mirëpresim mundësinë të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve”, tha një zëdhënës i departamentit të shtetit.

Të njëjtin qëndrim duket se ka edhe Albin Kurti, i cili në takimin e djeshëm me ambasadorin  amerikan në Kosovë deklaroi se që në javën e parë do të nisë dialogun me serbët e Kosovës.