Indi/ rritet bilanci i viktimave nga përmbytjet

Të paktën 109 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e fuqishme që kanë përfshirë lindjen dhe verilindjen e Indisë.

Zyrtarët e vendit njoftuan se gjashtë persona kanë humbur jetën në shtetin Uttar Pradesh, 30 në Assam, 67 në Bihar, pesë në Mizoram dhe një në Meghalaya, raportoi gazeta Hindustan Times.

Sipas zyrtarëve, 4.6 milionë njerëz janë ndikuar nga përmbytjet në Bihar dhe 5.57 milionë në Assam, ndërkohë që aktivitetet e shpëtimit në zonat e prekura janë duke vazhduar.

Në shtetet Assam dhe Bihar, qeveria angazhoi forcat e armatosura për të ndihmuar në evakuimin e popullatës në kampet e përkohshme.

Të paktën 32 fshatra mbetën të mbuluara nga uji dhe mbi një mijë familje u evakuuan në Mizoram si pasojë e daljes së lumenjve nga shtretërit, ndërsa në Meghalaya rrugët dhe ndërtesat e institucioneve publike u dëmtuan nga rrëshqitja e dheut e shkaktuar nga reshjet e fuqishme.

Nga ana tjetër, në Assam mbi 90 për qind e Parkut Kombëtar Kaziranga mbeti e mbuluar nga uji, duke shkaktuar ngordhjen e 30 kafshëve, përfshirë një elefant dhe katër rinocerontë.