fbpx

Inspektoi nga afër qendrat shëndetësore verore/ Manastirliu jep mesazhin e prerë nga Vlora

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka qenë sot për të inspektuar nga afër, qendrat shëndetësore verore në Vlorë. Në fjalën e saj, Ministrja kërkoi angazhim maksimal për respektimin e protokolleve anti-COVID.

“Në protokollet e vendosura në 28 qendrat shëndetësore verore është gjithashtu një protokoll i posaçëm, i cili përcakton të gjitha hapat që duhet të marrë një mjek apo një infermier, në momentin kur ballafaqohet me një rast të dyshuar me COVID19. Janë deri tani disa dhjetëra raste të dyshuara në qendrat verore, të cilët janë evidentuar nëpërmjet protokolleve të përcaktuara nga stafet mjekësore dhe më pas kanë ndjekur rrugëtimin dhe protokollin nga epidemiologët dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore.Vetëm në këto javë janë ofruar më shumë se 4000 shërbime, konsulta, mjekime nga të gjithë qendrat shëndetësore verore nga Shkodra në Sarandë. Të gjithë qendrat shëndetësore verore janë të pajisura me mjetet e mbrojtjes personale kur flasim për protokollet antiCOVID. Nga ana tjetër, të 18 pikat e ambulancave të Urgjencës Kombëtare janë të vendosura në postacione specifike për të garantuar mbërritjen e shpejtë në vendin ku ndodh urgjenca”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu nënvizoi se i gjithë sistemi shëndetësor është në gatishmëri dhe aktualisht po përballet me fluksin më të madh gjatë gjithë epidemisë.

“Epidemiologët janë në terren, gjurmimi dhe hetimi po vijon dhe mjekët e familjes janë duke bërë një punë të jashtëzakonshme, pasi janë më shumë se 800 raste Covid pozitivë, të cilët po ndiqen në banesa ku janë të karantinuar nga mjeku i familjes, duke marrë terapitë e mjekimit. Puna po vijon dhe është në fluksin më të madh gjatë gjithë epidemisë, pasi kemi një rritje të numrit të rasteve pozitive, gjë që tregon se kemi shumë punë për të bërë sa i përket këputjes së zinxhirit të infeksionit në vatrat aktive”, u shpreh Manastirliu.