INSTAT: 40% e të rinjve me arsim fillor, shkak emigrimi

Sipas një studimi të bërë nga INSTAT, rezultoi se të rinjtë shqiptar nuk preferojnë të vijojnë studimin pas arsimit nëntëvjeçar. Nga të dhënat e publikuara, mbi 40% e të rinjve në 25-39 vjeç ishin me arsim fillor në vitin 2018.

Sipas ndasisë gjinore 39.1% ishin meshkuj dhe 43 femra. Arsimi i mesëm në Shqipëri nuk është i detyrueshëm. Një pjesë e madhe e të rinjve, pasi mbarojnë këtë nivel, përfshihen në tregun e punës apo i drejtohen emigracionit.

Mungesa e formimit ndër të rinjtë shqiptarë është një lajm i keq për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, në një kohë që epoka ku po jetojmë kërkon aftësi të thelluara dhe mësim gjatë gjithë jetës për t’u përshtatur me përparimin e teknologjisë.

Pjesëmarrja sipas gjinisë në ciklet arsimore tregon për diferencat gjinore në nivelet e ndryshme të arsimit.

Ka një raport më të lartë të djemve, krahasuar me vajzat në arsimin parauniversitar, ndërkohë që në arsimin e lartë 59,7% e studentëve të këtij cikli janë vajza.

Gjatë vitit akademik 2017/18 në arsimin e detyruar u diplomuan 37 mijë nxënës nga të cilët 51,1% ishin djem dhe 48,9% vajza.

Në këtë vit akademik, ka një ulje të vogël të numrit të nxënësve që marrin diplomë të arsimit të mesëm, krahasuar me vitin paraardhës. Nxënësit e diplomuar në arsimin e mesëm sipas gjinisë ishin 48,6% djem dhe 51,4% vajza.