Integrimi/ Balla besimplotë: Këtë vit Shqipëria do nisë bisedimet

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka folur sot për integrimin e vendit. Ai shprehet besimplotë se gjatë këtij viti Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nisin bisedimet.

 “Do doja të ndaja me ju faktin se metodologjia e vlerësimit nga partnerët tanë mund të ndryshojë, më 29 janar KE do të publikojë metodologjinë e re të vlerësimit dhe të monitorimit të zbatimit të detyrave të shtëpisë nga vendet kandidate, në kuadër të vlerësimit qoftë të ecurisë së procesit të para hapjes së negociatave, qoftë me procesin tjetër që pason, dhe ku unë jam besimplotë se gjatë këtij viti Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nisin bisedimet“, u shpreh Balla.

Më tej ai theksoi se në lidhje me publikimin e metodologjisë së re që pritet të publikohet në llim të shkurtit, vetë Komisioni Europian rikonfirmoi se “paralelisht me dakordësimin e vendeve anëtare për metodologjinë e re të ndryshuar, KE i qëndron rekomandimit se bisedimet për anëtarësim duhen çelur sa më parë me Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut”.

“Rekomandimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim mbetet një konstante e pandryshuar për Komisionin Europian. Besoj se brenda 27 vendeve të BE-së pas 31 janarit, të ketë një konsensus të plotë lidhur me bisedimet për anëtarësim“, tha ai.

Ndërsa sa i përket emigracionit, Balla tha se ka një rënie të numrit të atyre që kërkojnë azil në vendet e BE, ndërsa shtoi se emigracioni mbetet një fenomen shqetësues, ndaj dhe sipas tij, “qeveria dhe të gjithë aktorët duhet të punojnë me hartimin dhe zbatimin e politikave të mirëfillta për të ndalur uljen drastike demografike të popullsisë si një emergjencë kombëtare që mund të zbusë efektet që mund të ketë nesër në ekonomi një fakt i tillë”.